Java e katërt në Premier League dhuroi emocione, gola dhe ndryshime në renditje, me Manchester United që merr kryesimin pas fitores 4-1 përballë Newcastles. Cristiano Ronaldo ishte kryefjala e ditës dhe portugezi ishte protagonisti absolut, duke shënuar dygolësh në këtë sfidë.
Takimi nisi me dominimin e vendasve, të cilët iu imponuan kundërshtarit të tyre, por pa patur saktësinë e duhur përpara portës. Në fundin e pjesës së parë, në momentin më të mirë, Newcastle tradhtohet nga portieri Woodman, i cili tregoi pasiguri në minutën e 47, një moment të cilin Ronaldo e shfrytëzoi në maksimum, duke shënuar golin e parë.
Në fillimin e pjesës së dytë të besuarit e Steve Bruce realizuan pas 10 minutave me anë të mbrojtësit spanjoll Manquillo. Një gol i cili krijoi iluzionet se ndeshja mund të ndryshonte, por nuk mendoi kështu “ylli” portugez, i cili shkundi rrjetën për herë të dytë në minutën e 62-të. 10 minuta nga fundi, Bruno Fernandes dhuroi spektakël me golin e tretë, ndërsa firmën e fundit e nënshkroi Lingard në shtesë, duke gjetur rrugën e rrjetës për herë të parë në këtë sezon.
Një fitore që e ngjit Manchester Utd në vendin e parë pas katër javëve të para, me një Cristiano Ronaldo i cili pati impakt të menjëhershëm te “Djajtë e Kuq”, që mund të konsiderohen ndër pretendentët kryesorë në Ishull.
Manchester City fitoi minimalisht në fushën e Leicester City-t me gol te Bernardo Silvas në minutën e 62-të. Frymëmarrje për Arsenalin, që gjen fitoren dhe golin e parë në këtë sezon të Premier League-s. Skuadra e Artetas fitoi 1-0 përballë Norwichit me gol të Aubameyangut.