Mihal Kokëdhima i cili në gusht të 2019 hipi sipër një makine me turistë spanjollë vijon të jetë problematik edhe këtë sezon turistik.
Në një video të publikuar në rrjete sociale analisti Dritan Hila tregon se Kokëdhima ka bllokuar rrugën që të çon te plazhi afër tij në Porto Palermo të Himarës.
Më parë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka shembur resortin që ishte pa leje ‘Panorma’ në pronësi Kokëdhimës ndërtuar buzë detit në Porto Palermo.
“Pasi qeveria i shembi Mihalit lokalin, Mihali vendosi ti shembi qeverise malin. Vazhdon kontrolli i territorit. Tani Mihali qe po punon me matrapik nuk te le te shkosh as tek plazhi qe dikur ishte i lire.
A ka ministri rendi, polici, bashki, qe t’i shpjegoje çdo skizofreni, fshatari pa toke, apo ezberi qe i mbushet mendja qe te bllokoje copa bregdeti me copa letrash fallco apo pa letra fare, qe ky vend ka nje qeveri?”, shkruan Hila.
Si duket Kokëdhima ka zaptuar një tokë afër plazhit që ndodhet pranë tij. Mihal Kokëdhima, u arrestua pasi sulmoi dhe rrezikoi jetën e një grupi turistësh spanjollë, duke iu hedhur mbi kofanon e makinës që ata kishin marrë me qira, dhe në tre kilometra rrugë në ecje i ka terrorizuar ata duke u thyer xhamin e përparmë të automjetit. E gjitha ndodhi pasi turistët u larguan nga restoranti i tij në “Porto Palermo” të Himarës, pasi pritën gjatë për porosinë që nuk u erdhi kurrë.
Vetë Kokëdhima i cili shfaqej në video me sjellje në kufijtë e çmendurisë ndaj turistëve, atëherë pretendoi se ishin turistët që tentuan ta shtypnin me furgon dhe se ai iu hodh makinës për të shpëtuar. Por ky nuk është i vetmi rast, pasi Mihal Kokëdhima është rikthyer sërish në vëmendje në gusht të 2020 pasi është filmuar duke u bërtitur disa pushuesve që kishin kaluar një gardh në breg të detit në një pronë të zaptuar nga ai. /Shqiptarja.com