Lëkunden pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe shumë emra të tjerë që kishin rol politik në vrasjet e 21 Janarit. Sot shënohen plot 10 vite nga masakra ku u vranë 4 persona në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në këtë ditë policia ka vendosur të hedhë një hap drejt rihapjes së hetimeve.
Sipas burimeve, ditën e djeshme Policia e Tiranës ka dorëzuar një kërkesë në prokurori, ku kërkon riekspertim hetimor për vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Po ashtu kërkohet të riekspertim për plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Sipas informacioneve, policia ka kërkuar të kryhet riekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të Gardës që ishte në shërbim në datën 21 janar. Gjithashtu në letër-kërkesë kërkohet të ripyeten të afërm të viktimave dhe dëshmitarë.
Vrasja e Nikës është më e mistershmja e “21 Janarit”. Fillimisht ai mbeti i plagosur dhe u dërgua në Turqi ku dhe ndërroi jetë. Akti i ekspertimit datë 5 maj 2014 vërteton se Nika u qëllua me një plumb. Kjo predhë është ekzaminuar edhe në laboratorin e FBI Virginia ku thuhet se ka dalë nga një pushkë me 6 viaska, por predha nuk mundi të identifikohet nëse është qitur nga tytat e pistoletave të dërguara për ekzaminim apo nga tytat e tjera.
Predha e gjetur në trupin e Nikës është e kalibrit 9 mm, ndërsa policia thotë se është qitur nga një armë zjarri Mp5. Policia kërkon të kryhet rikëqyrje e pamjeve filmike të fokusuar kryesisht tek Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe të plagosurit. Sipas letër-kërkesës, kërkohet me anë të një shkrese IPSH-së nëse ka apo jo laborator për ekzaminimin kriminalistik në vendet e BE që të ekzaminohet predha e gjetur në trupin e Aleks Nikës.
Rasti i tij u nda nga vrasjet e tjera dhe hetimet kanë vijuar deri një vit më parë kur dhe janë pezulluar. Po ashtu policia ka kërkuar që të bëhet një riekspertim i provave për vrasjen e Hekuran Dedës.
Strategjia
Më 21 janar 2011 u vranë gjatë protestës para Kryeministrisë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Për 3 të fundit prokuroria siguroi prova dhe arriti në përfundimin se vrasjet u bënë nga pakujdesia duke sjellë më pas dhe dënimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistit Agim Llupo me 3 vite burg. Por për vrasjen e Aleks Nikës nuk u dënua askush.
Por pikërisht polica ka shfrytëzuar këtë dosje për të rihapur masakrën e “21 Janarit”. Sipas ligjit shqiptar, për në ngjarje të gjykuar nuk mund të ketë rihetim, ndërsa rasti i Nikës nuk është i tillë. Duke qenë se për të nuk ka asnjë vendim gjyqësor atëherë të gjitha letrat janë në tryezë dhe nëse prokurori do vërtet të dënojë ata që dhanë urdhrin atëherë kjo është e mundur proceduralisht.
Paralajmërimi i Ballës
Më herët ishte kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili njoftoi se ka pasur një kërkesë për të rihapur dosjen e “21 Janarit”. “Jemi informuar se Prokuroria ka kërkuar hetime të mëtejshme në dosjen e vrasjes së protestuesve Aleks Nika më 21 Janar 2011. Por ky hetim nuk mund të fokusohet vetëm tek ekzekutorët, pa marrë në hetim urdhëruesit.
Sali Berisha për 10 vite me radhë rreh gjoksin se ai është urdhëruesi i plumbave mbi popullin protestues. Lulzim Basha si Ministër i Brendshëm zbatonte urdhrat e Sali Berishës nga tarraca e Kryeministrisë. Ai nuk mori asnjë përgjegjësi madje u gradua në detyrë nga Saliu pas 21 Janarit. 10 vite nga masakra e 21 Janarit, drejtësia e re duhet të marrë përgjegjësitë dhe të hetojë urdhëruesit”, tha Balla.