Manaxhimi i integruar i mbetjeve dhe diferencimi i tyre në mënyrë të organizuar vlerësohet se i ka fillesat ligjore në Shqipëri në vitet ‘60, edhe pse mund të thuhet se kjo praktikë është ndjekur më herët, por e paorganizuar. Industrializimi i vendit, nevoja për lëndë të para, tendenca e sigurimit të burimeve alternative për lëndë të parë, ulja e kostove, fushata për higjenizimin në popullatë e interesi i përgjithshëm vlerësohet se kanë qenë disa prej arsyeve kryesore se pse në Shqipërinë e atyre viteve vendi njohu një manaxhim të integruar të mbetjeve; ku parashikohej riciklimi e ndarja në burim nga popullata në terësi.
Mbetjet e pariciklueshme groposeshin ose digjeshin ndërsa ato që mund të ripërdoreshin ndaheshin veçmas duke u rifutur në funksion. Në këtë periudhë nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një politike pro ambientit apo me një industri të zhvilluar riciklimi por vetëm me një zgjidhje të pastër ekonomike që reflekton mangësitë që kishte vendi në produkte dhe në lëndë të parë si dhe në politikën për uljen e kostove në maksimum. Ngritja e fabrikave të qelqit e letrës shoqërohet nga nevoja për lëndë të parë, që shpeshherë do të ishte e kushtueshme e si rrjedhojë, regjimi i kohës do të aplikonte parimin e planifikimit shtetëror edhe në këtë fushë.
Krahas politikës së përcaktimit të rregullave fikse për trajtimin e mbetjeve urbane e rregullsisë se mbledhjes së tyre nga strukturat vendore të kohës, në këtë periudhë mund të thuhet se kemi të bëjmë me një trajtim të diferencuar të mbetjeve. Një rëndësi e veçantë i është dhënë edhe ndarjes së mbetjeve në burim duke përfshirë në këtë proces jo vetëm familjet shqiptare por edhe dyqanet e tregtisë, organet e transportit ndërmarrjet shtetërore.
Veç detyrimeve ligjore që parashikonin mënyrën se çfarë duhej bërë me mbetjet urbane dhe se si duhej të respektohej ambienti përreth, para viteve ’90 familjet shqiptare do të stimuloheshin për të bërë ndarjen e mbetjeve në burim, duke diferencuar kryesisht letrën, kartonin e qelqin.
Ky mbase mund të konsiderohet si një nga elementet e paktë kapitalistë në Shqipërinë që aplikonte modelin e ekonomisë së centralizuar për faktin se këto kategori mbetjesh familjet shqiptare mund t’i dorëzonin e të merrnin para në këmbim.
Ajo që duhet evidentuar është se pavarësisht se çmimet ishin të centralizuara dhe nuk reflektonin koston e produktit, çmimi i produkteve që merrnin shqiptarët kishte të përfshirë edhe çmimin e ambalazhit, që përbën lëndën e kryesore të riciklueshme. Në atë periudhë nuk njihte përdorim masiv plastika apo alumini ndaj edhe ambalazhet ishin kryesisht prej druri, letre, kartoni apo qelqi.
Rritja e numrit të produkteve në treg, rritja e prodhimit e industrializimi do të sillnin një nevojë të lartë për ambalazhe, e si rrjedhojë edhe rritjen e kostos për prodhimin e tyre. Në këto kushte, duket se riciklimi është konsideruar si një mënyrë për uljen e kostove në ndërmarrjet shtetërore e për rrjedhojë stimulohej ripërdorimi i tyre i vazhdueshëm deri në momentin kur ktheheshin në lëndë të parë e ricikloheshin sërish.
Në vitet 60 do të shfaqej problematika e mangësisë së ambalazheve. Deri në këtë periudhë, çështja e ambalazheve duket se nuk përbënte problem pasi tregtia kishte si rregull që ishte vetë blerësi ai i cili do të kishte me vete ambalazhin për produktin që blinte; pra jo domosdoshmërisht shitësi i produkteve ushqimore do t’i jepte blerësit një produkt të ambalazhuar.
Por shfaqja e problematikës i dedikohet rritjes së numrit të produkteve, shtimit të fabrikave e ndërmarrjeve e rritjes së prodhimit. Për të identifikuar produktin, ndërmarrja do të duhej ta paketonte atë, ndaj edhe në këtë mënyrë lind nevoja për ambalazhe. Për produktet ushqimore përdorej kryesisht qelqi dhe kartoni e në raste të veçanta metali dhe plastika ndërsa për produktet industriale përdorej druri, plastika e metali.
Mbetjet, lëndë e parë për industrinë
Situata do të ndryshonte kryesisht në vitet ‘80, periudhë në të cilën vendi do të përballej me vështirësi të forta ekonomike e ku parimi do të ishte ai për mbështetjen në forcat e brendshme.
Mungesa e një mbështetje ekonomike nga jashtë e shkëputja e marrëdhënieve ekonomike me vendet e tjera do të sillnin një rishikim terësor të politikës ekonomike në vend. Regjimi i kursimit do të ishte edhe politika kryesore që të zbatohej në popullatë, ndërmarrje e institucione të tjera shtetërore. Në këto kushte, do të ndryshonin edhe ligjet për prodhimin dhe përdorimin e ambalazheve, ku gjithashtu do të aplikohej një regjim kursimi e nga ana tjetër do të sillte forcimin e praktikës së ndarjes së mbetjeve në burim.
Ndërsa ndërmarrjeve prodhuese u urdhërohej që të prodhonin produkte me kosto sa më të ulët, atyre të shërbimeve u kërkohej që të tregonin kujdes me produktin me qëllim nxirreshin sa më shumë përfitime prej tij e të uleshin sa më shumë kostot dytësore. Ndërmarrjet shtetërore do të nxiteshin që të krijonin sa më pak mbetje. Por edhe ato pak mbetje që do të krijoheshin gjatë procesit të punës, detyrimi ishte që të gjendej një mënyrë për ripërdorimin e tyre si lëndë të parë për prodhimin e produkteve të tjera. Në këtë periudhë mund të thuhet se thuajse çdo mbetje riciklohej.
Në këtë kuadër, mbetjet e drurit do të përdoreshin për mobileritë, mbetjet e plastikës për veshmbathje ndërsa mbetjet e metaleve do t’i nënshtroheshin ripërpunimit me qëllim përfitimin e produkteve të reja.E mbetjet ushqimore do të përdoreshin për bujqësinë pasi i nënshtroheshin përpunimit për t’u kthyer në pleh.
Trajtimi i diferencuar për ambalazhet
Për ambalazhet dhe përdorimin e tyre, në vitet 80 do të amendoheshin të paktën 4 ligje. Amendimet synonin të bënin një përcaktim të qartë lidhur me politikën kursyese që duhej ndjekur në prodhimin dhe manaxhimin e tyre. E këto ligje do të parashikonin penalitete dhe stimuj në mënyrë që praktika që do të ndiqej të funksiononte.
Ambalazhet do të ndaheshin në disa kategori; ambalazh kryesor që ripërdorej vazhdimisht dhe ambazh që përdorej për riciklim. Ambalazhet që përdoreshin për paketim dhe materialet për ambalazhin rregullisht konsideroheshin pjesë përbërëse e mallit dhe hynin në koston dhe çmimin e shitjes së mallit në mënyrë të pandarë.
Ambalazhe të tilla konsideroheshin tubat e pastave të dhëmbëve dhe të rrojës, shishet e pijeve alkoolike të parfumeve dhe barnave, kutitë e konservave të ndryshme si dhe sendet me të cilat paketoheshin mallrat.
Me marrëveshje të veçantë, kavanozët prej qelqi dhe shishet e verës mund të mos i ktheheshin furnizuesit por mund të shiten nga blerësi te ndërmarrjet e tjera prodhuese që ndodheshin në rrethin e veprimtarisë së tij. Në këtë rast, furnizuesi ambalazhet ja faturonte blerësit 10 për qind me pak se çmimet unike shtetërore.
Blerësi ishte i detyruar që brenda 30 ditësh të kthente ambalazhet te furnizuesi. Po ashtu, pjesë e ndryshimeve ligjore ishte edhe amendimi që parashikonte që penaliteti për moskthimin e ambalazheve të ishte në masën 1 për qind të çmimit të ambalazhit të pakthyer për çdo ditë vonesë si dhe një gjobë që varionte nga 50 deri në 100 për qind të vlerës së ambalazhit të pakthyer. Kjo ishte gjobë që paguhej e me të cilën penalizoheshin kryesisht organet e transportit.
Po ashtu, ligji detyronte ndërmarrjet shtetërore, institucionet dhe organizatat ekonomike në vend që të marketonin ambalazhet me ngjyra të pashlyeshme dhe në mënyrë të dukshme, që të vinin rregull në ruajtjen dhe administrimin e tyre dhe të mbanin në rregull për inventarin në sasi të ambalazheve të veta ose të furnizuesve e klientëve me qëllim që të ndiqej në rregull lëvizja e tyre.
Në vitin 1983 do të dilte një vendim i posaçëm i Këshillit të Ministrave që kishte si synim shtimin e frytshmërisë së përdorimit të ambalazheve, që përbëjnë kryesisht edhe masën më të madhe të mbetjeve urbane nëse nuk ripërdoren.
Në këtë vendim udhëzohej organizimi i disa aksioneve kombëtare në të gjitha ekonomitë bujqësore për dorëzimin e thasëve prej plasmasi në gjende të përshtatshme për ripërdorim e të atyre që ishin në gjendje të papërshtatshme për t’u ripërdorur, që të përdoreshin si lëndë e parë.
Aksioni do të drejtohej nga ministria e Bujqësisë, Ministria e industrisë dhe komitetet ekzekutive të këshillave popullorë të rretheve. Po ashtu,udhëzimi do të parashikonte marrjen e masave konkrete për grumbullimin nga ndërmarrjet institucionet kooperativat bujqësore dhe popullsia të mbeturinave të artikujve plasmasë, të kutive të bojës së vajit e të bojës së këpucëve, të qeseve të plasmasit etj. Grumbullimi i këtyre artikujve nga popullsia do të bëhej nga ndërmarrjet komunale.
Me qëllim uljen e kostove, udhëzimi do të parashikonte edhe disa ndryshime sa i përket përdorimit të ambalazheve. Për ndërmarrjet e tregtisë dhe të prodhimit do të rekomandohej që artikujt ushqimorë të furnizoheshin përmes ambalazheve me përmasa më të mëdha në mënyrë që të kursehej prodhimi i ambalazheve e amortizimi i tyre që më pas do të sillte jo vetëm kosto ekonomike nga prodhimi i ambalazheve të reja por edhe një sasi të konsiderueshme mbetjesh.
Po ashtu, udhëzimi jepte direktivë që ministritë dhe komisioni i planit të shtetit të studionte mundësinë e zëvëndësimit gradual të ambalazheve ekzistuese me ambalaazhe me pak të kushtueshme.Në këtë periudhë nis të aplikohet zëvëndësimi i ambalazheve të drurit me ato të plastikës, kryesisht te kompanitë që merreshin me transportin masiv të produkteve e ku nevoja për kuti do të ishte e lartë.
Nga ana tjetër, në këtë periudhë do të ndiqeshin politika stimuluese për popullatën që të bëhej pjesë e procesit të ndarjessë mbetjeve në burim. Ministria e Tregtisë së Brendshme në vitin 1983 do të merrte masa për grumbullimin nga popullsia të mbetjeve të riciklueshme. E pjesë e këtij projekti do të ishte rrjeti i tregtisë me pakicë.
Dyqanet e kohës do të kishin funksionin e mbledhjes së të gjitha llojeve të shisheve dhe kavanozëve prej qelqi të produkteve ushqimore. Vendimi i vitit 1983 do të parashikonte edhe masën e shpërblimit për popullatën dhe për tregtarët që merreshin me këtë aktivitet. Shitësit e rrjetit të tregtisë me pakicë që merreshin me grumbullimin e ambalazheve prej qelqi shpërbleheshin deri me 5 për qind të vleftës së ambalazhit të grumbulluar por jo më shumë se 10 për qind të pagës bazë mujore. Ambalazhi prej kartoni duhej të qarkullonte jo më pak se dy herë, çka do të thoshte që ambalazhet duhet të ripërdoreshin vazhdimisht para se të trajtoheshin si lëndë e parë.
Në këtë periudhë nuk mund të thuhet se ka pasur një politikë pro mjedisit e pro riciklimit por ajo që mund të evidentohet është se modeli i riciklimit i përdorur në Shqipërinë e atyre viteve i dedikohej më së shumti faktorëve ekonomikë. Nga ana tjetër, duhet evidentuar se modeli i ndjekur nga Shqipëria në ato vite ështënjë model që aplikohet aktualisht në vendet perëndimore për trajtimin e diferencuar të mbetjeve. Gjithsesi, riciklimi në Shqipërinë e atyre viteve është konsideruar një aktivitet kryesisht për arsye leverdisshmërie ekonomike pasi vetëm në vitet e mëvonshme do të niste të konsiderohej edhe si një proces pro mjedisit./SCAN/