Fitim Çaushi
( Homazh për “Nderin e Kombit” Rexhep Çeliku)
Kaloi një vit nga ndarja me kërcimtarin fluturues Rexhep Çeliku, por çuditërisht e kemi ndjerë pranë si i gjalli mes të gjallëve. Mrekullia qëndron tek fakti se nëpër gjenerata, shumëkush ka lënë diçka prej ari, prej flake, prej ngjyre, prej tingulli e fluturimi, që e identifikon artistin me pavdekësinë.
Sa herë kaloj para Tetarit të Operas dhe Baletit, atij Tempulli të papërsëritshëm Arti, risjell në atë skenë të përndritur, imazhet e asaj shqiponje në fluturim ku jo rrallë emocionet e atij interpretimi të magjishëm, kalonin deri në mallëngjim. Fluturonte mes valleve festive mbushur me gaz e gjallëri, si një mrekulli shqiptare mes copëra ylberi që zbresin nga majat e maleve të larta.
Profesorët i treguan atij se ku gjendej ari, dhe ari i gjetur tek shpirti i popullit, u bë pronë e tij e përjetshme, duke ia kthyer popullit si perla të ngritura në art. Jetonte pranverën e krijimtarisë, me shtatin e lartë dhe lëvizjet energjike, Rexhep Çeliku la gjurmët e tij në çdo interpretim; si për luftëtarin edhe çobanin, si për malësorin, edhe labin, si për myzeqarin, dhe kosovarin dhe çamin. Për secilin thithi nektarin e shpirtit popullor.
Nëse atë e deshëm dhe e adhuruan qysh në interpretimet e para, kjo sepse kishte një pathos dhe shpirt shqiptari në çdo lëvizje. Ai hyri në artin e vallëzimit shqiptar si një krismë dhe do të mbetet si një gjëmim.
Kërcimet e tij të furishme në 8000 shfaqje dhe në 32 mijë interpretime brenda e jashtë Shqipërisë, përmes një plastike mahnitëse: hedhjet burrërore në vallet luftarake apo me lëkundjen e ëmbël në vallet baritore, në majë të gishtave, në përthyerje gjunjësh në përkulje beli në lëkundje trupi përshtatur mrekullisht me tingujt e muzikës popullore, krijonin një dimension fizik në lartësinë e gjeniut. Ajo skenë për të ishte e magjishme, ku shpirti puqej me qiellin dhe prehja ishte sublime.
Në të ishin organizuar shfaqje me një bukuri të vërtetë, të papërsëritshme, të mrekullueshme, mbështetur mbi ritmikën e valleve tona dinamike. Ansambli kishte origjinalitet dhe përmbajtje të shëndoshë, i paraqitur me madhështi e dinjitet. Të gjithë, solistë e valltarë, këngëtarë e instrumentistë, ishin si një trup i vetëm, plot përgjegjshmëri për të përcjellë shpirtin dhe artin e Shqipërisë tek spektatori, përmes një optimizmi e komunikimi të ngrohtë që u ofronin atyre një mesazh optimizmi dhe besimi.
Mes këtij Ansambli të mrekullueshëm: Besim Zekthit, Enver Birkos, Besim Jazenxhiut, Lili Cingut, Brikena Jaupit, …. për 45 vjet, Rexhep Çeliku ka tronditur skenën shqiptare përmes figurave mitike të eposit të kreshnikëve, zakoneve të lashta të malësorëve, guximin e luftëtarëve. Lirizmin, emocionin dhe dashurinë për popullin dhe krijimtarinë e tij, e ka përcjellë me pasionin dhe bukurinë e kërcimit, dashurinë për folklorin shqiptar dhe thesarin mbarëkombëtar popullor. Përmes lojës artistike, mbi çdo gjë ai vinte dashurinë për atdheun dhe popullin, për thesaret e tij artistikë. Kudo ka shpalosur gjuhën koreografike të folklorit tonë të pasur, origjinalitetin, bukurinë, larminë koreografike dhe historinë e popullit. Nëpër koncerte lëvizjet e tij të madhërishme, e kanë bërë spektatorin shqiptar dhe atë të huaj, të mrekullohet, sepse forcën dhe qëndrueshmërinë e mori nga kontakti i këmbëve me tabanin e tokës mëmë.
Suksesi ishte produkt i talentit të tij si dhe rrjedhojë e pjekurisë artistike, sepse me teknikën dhe individualitetin e kërcimit, me majëgishtash, me uljet e thella, me valëvitjet e krahëve si krahë shqiponje, solli në skenë figurat më estetike që kishte sendërtuar populli nëpër shekuj. Oshtima e daulles e elektrizonte, e emociononte dhe ai kalonte natyrshëm nga çaste lirike në çaste epike, duke mishëruar figura artistike të skalitura me vërtetësi e art. Vallja shqiptare që kishte lënë gjurmë në shekuj, ishte vallja që na e bënte botën e madhe dhe na mësonte ta nderonim Shqipërinë e vogël.
Ky djalosh i dikurshëm, që e filloi kërcimin qysh 16 vjeç, më vonë do të kryente detyrën e asistent koreografit pranë Panajot Kanaçit, e më vonë atë të koreografit dhe drejtuesit artistik, për të mbajtur gjallë krijimtarinë koreografike të Ansamblit. Krahas punës artistike, ai dha ndihmesë edhe në fushën didaktike si pedagog në Shkollën e Baletit.
Ka merituar çmime në skena brenda dhe jashtë vendit: Në vitin 1978 në Festivalin Ndërkombëtar” në Itali, u vlerësua me medalje ari si “Valltari më i mirë”, ndërsa në vitin 2000, në festivalin botëror mori çmimin e dytë.
Në prag të ndarjes nga Jeta, Presidenti i Republikës e dekoroi me titullin “Nderi i Kombit”. Në atë dekorim, ne u përqafuam për herë të fundit. Shikoja një kolos në shkatërrim, ndonëse sëmundja nuk e kishte shuar dot shenjën e gjenisë, sytë i kishte plot dritë dhe shpresë. Një vullnet i paparë, shpresonte të shërohej, donte të jetonte dhe të punonte, por në 12 janar 2018, nuk do ta shikonte më dritën e jetës, sytë e tij u shuan. Ky artist i stuhishëm, u kthye në një krater të ftohtë, që na shfaqet vetëm përmes ekranit. Ai ka shkuar për t’u dergjur larg, në brigjet e një bote pa jetë. Jeta e mori për ta flakur në pragun e qiejve. Kështu u largua nga kjo botë artisti i madh, duke lënë aq shumë krijimtari, emocione e ngazëllim, mbi të gjitha një shpirt të pasur njerëzor.
Në imazhin tonë do të mbetet Xhepi i rinisë, Xhepi fluturues, sepse çdo gjë materiale në këtë botë shuhet, por krijimtaria në art mbetet së bashku me kujtimin e artistit. Rexhep Çeliku do të jetojë midis vdekjes dhe legjendës, sepse ka merituar titullin “Nderi i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore”, për interpretimin me nivel të lartë artistik të valles tradicionale të të gjitha trevave shqiptare, si dhe për transmetimin e saj duke ruajtur e pasuruar origjinalitetin kombëtar.
Gjatë një koncerti në Romë, të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtari i mirënjohur italian, Klaudio Vila, pas shfaqjes i dhuroi Rexhep Çelikut një tufë karafilash: ”Bravo! Je një artist i madh, me shumë temperament e mjaft elegant. Duke parë interpretimin tënd tek vallja “Vallëzimi i shqipeve”, ti e luajte shumë bukur, je një shqiponjë e vërtetë”.
Ky përfytyrim; si një shqiponjë e vërtetë, do të mbetet “Nderi i Kombit” Rexhep Çeliku në kujtesën tonë./Gazeta Dita