osmaniye escort
1xbet betist supertotobet
ladesbet
bahis siteleri casino siteleri
tesbih
deneme bonusu veren bahis siteleri
Ankara EscortKızılay EscortÇankaya EscortAnkara EscortEryaman EscortSincan EscortEtimesgut EscortElvankent EscortBatıkent Escort
antalya haber
deneme bonusu veren siteler
casibom giriş
istanbul escort istanbul escort bayan
izmir escort
canlı bahis siteleri
casibom
bahis siteleri
casibom
girne casino
ekrem abi starzbet
casibom giriş
Casibom

Reportazh: San Costantino Albanese dhe festa e Shën Mëria e Yllit

Reportazh: San Costantino Albanese dhe festa e Shën Mëria e Yllit

Nga Ornela Radovicka

Është maj, ditë e djelë, dhe së bashku me miken time Brizida Gjikondin nisemi për në San Costantino Albanese.

Udhetimi bëhet për dy motive: Festohet Shën Mëria e Yllit ose si e thërret komuniteti, Shën Mëria e Illthit, dhe promovimi i librit të mikut tonë të dashur etnografit, studiuesit, patriotit të njohur të botës shqiptare, At Antonio Belusci “Kultura Tradizonale a San Costantino Albanese. Ricerche sul campo 1965/1973”

Është një vit fertil për botën arbëreshe, sepse këtë vit u botuan një sërë veprash. Edhe në atë mikrokozmin tonë individual ndihmuam me kontributin tonë. Një prej tyre ishte edhe vepra e Dorsës “Su gli Albanesi: ricerche e pensieri, Napoli, Tip. Trani, 1847, sjellë në gjuhën shqipe (Brizida Gjikondi, Prill 2021). I jemi mirënjohëse Mikeshës sonë Brizidës për këtë vepër të Vicenzo Dorsës që na pasuruan shpirtin dhe biblotekën.

Katundi arbëror San Costantino Albanese-Shën Kostandini Shqipetar, bënë pjesë në rajonin e Bazilikatës ku gjenden gjithësej 5 fshatra arbereshe: San Costantino Albanese, San Paolo Albanese, Barile, Ginestra, Mascito, por nga të gjitha këto fshatra arbëreshe të kësaj krahine vetëm dy fshatra i rezistuan ritit Bizantin: San Costantino Albanese dhe San Paolo Albanese.

Humbja e ritit në komunitet arbëreshe të Bazilikatës

Në vitin 1628, Dominikani Diodato Scaglia i Melfi-t, me urdherin Episkopal, e ndaloi ritin bizantin së pari në bashkësitë arbershe shqipfolëse- të Maschito dhe Ginestra dhe, shumë më vonë, edhe në Barile.

Mbrritja

Arritëm herët dhe patëm kohë të vizitonim këtë fshat arbëror, banorët e së cilës rezultojnë të ardhur nga territoret ballkanike shqipfolëse. Data më e hershme e ekzistencëes së tyre i përket viti 1526, datë kjo, rezulton të ketë ndodhur para emigrimit të popullsisë shqipfolse nga Corona Peleponeze.

Kjo pronë dikur quhej Çifligu i “Shtetit të Noja” dhe i përkiste Giacomo Pignatelli, një patricë Napolitane, që në 1530 e kishte blerë atë nga prona e shtetit mbretëror për 20 mijë dukate.

Në cilën zonë u vendosën arbëreshët e këtij komuniteti të sapo ardhur ?

Popullsi a e ardhur nga trojet e Moresë shqipfolëse dhe ato shqiptare , u vendosën në Sën Kostandin në një lartësi rreth 900 metra mbi nivelin e detit ku ndodhet sot santuarit Shën Mëria e yllit (Madonna della Stella).

Vendi ishte i përshtatshëm sepse ishte startegjik, por në të njëjtën kohë ishte një vend idrik.

Banorët e hershme zunë vend në këtë zonë dhe ndërtuan aty edhe kishën e tyre

Urbanistika

Ndaluam në qendër. Qëndra e banuar, ngrihet si një kor në mes të polinit, dhe si fasadë ngrihet madhështore kisha nenë që si një klloçkë i mbledh rreth saj në një pjerrësi jo shumë të theksuar Kërthiza e qendrës ruan larminë, e saj, me gjitoninë në mikro-sheshet, por edhe heshtjen me rrugicat e saj.

Kanë humbur shumë nga identiteti i tyre fillestar, por akoma mund të ofrojnë kaq shumë, sa mjafton të penetrosh në këto skuta e të ndjesh, sensin fizik, si edhe psherëtimën e një jete të jetuar, që absolutisht duhet vlerësuar, në metafizikën e saj si pjesa materiale dhe jomateriale, ajo shprehje e dukshme dhe e padukshme, e prekshme dhe e paprekshme, tuli dhe kocka e Arbërisë që flasin për një sistem informacioni, zakonet, ritet, traditat,si edhe”gjuha” që ne ende duhet të mësojmë ta lexojmë, dhe ta deshifrojmë.

Qëndra është e mbyllur nga dy rrjedhje të vogla, njëra pjesë që shkon drejt Sarmentos, pjesa tjetër dhe më e vjetëra, është e ndarë në pjesën e lartë (katundi alartaz), banorët e së cilës quhen “lastu lasht”, dhe pjesa e poshtme Katundi “ahimaz”, që shtrihet në gjatësi nga veriu-perëndim në jug-lindje.

Të dy pikat ekstreme kufizohen nga dy kisha të vogla.

Duke shkuar më tej në perëndim, gjendet, gjysmën e fshehur midis lisave dhe ullinjve, Santuari Madonna della Stella.

Toponimet: Kroji i Alvani/Kroj ca Kongët/ Kroi i Katundit/ Ka mali lart /Ka shkalla/ Ka Llazi i Diles/ Lisi i but

Lis t eger: qarri /Ka lëmi luesë

Toponimi i emerit

Emri i tij, “Shën Kostantino”, shfaqet në Val Sarmento nga fundi i mijëvjeçarit të parë, dhe lidhet me një kishë baziliane e cila kaloi te benediktinët, e cila më vonë u braktis, por që emri i tij do të rishfaqet përsëri me ardhjen e të mërguarve shqiptarë.

Arbëreshët e Shën Kostandinit, rrëfejnë që kur del Dielli na thomi: Oj siu i Besës

Riti do të mbahej tek kisha Nënë

Festa do të zhvillohej tek kisha Nënë e cila është pozicionuar në qendër të fshatit. Ky kult, si të gjitha kishat bizantine, orjentale, të cilat janë nën juridiksionin e Eparkise se Lungrës, dhe praktikojne ritin Bizantin orjental.

Kisha e famullisë, në stilin barok, daton që nga fillimi i viteve 1600 dhe mban emrin e Perandorit Konstandin, i shpallur një shenjt vetëm nga Kisha Lindore, dhe iu kushtua Shenjtorëve Konstandin dhe Elenës

Stili artistik

Kisha është i stilit barok dhe ka tre murriz. Në 1845, u krijuan pllaka majolica në fasadë, duke përshkruar San Costantino (në mes), San Pietro (në të majtë), San Paolo (në të djathtë). Kisha, e ndërtuar sipas kanoneve të ritit romak, pësoi transformime në vitet ’50 kur presbieria e ndërtuar sipas ritit latin u përshtat me ritin bizantin.

Festiviteti

Ambjenti gazmor të rrëmbente në gjirin e saj. Dalëngadalë sheshi filloi të mbushej. Momenti magjik ishte, kur kostumet arbëreshe të komunitetit sfilonin në rrugicat si një parad mode. Ishin me maskat, shkak i pandemisë, por sytë e tyre vezullonin, dhe ndrinin si yjeza.

Të parin takuam kryetarin e komunës Renato Janibelli. Ishte i zoti i shtepisë. Na uroji mirëseardhjen

-Ky vit ( 2021) ështe një vit me pandemi. Karakteri spiritual i festës nuk do mungojë, ndërsa karakteri Folklorik do të jetë i reduktuar.

U sistemuam në kishë, ku na kishin rezervuar vëndet. Emocionohesh me solemnitetin e saj, me ato ngjyra të arta që shkëlqejne, ku edhe një profan bënë të ndihet mirë. Ne çdo tavolinë ishin vëne tre lule dielli, që simbolizonin, diellin, në Festën e yllit. ( Shër Mëria e Illthit, siç i thërrasin arbëreshët e këtij fshati.

Po kush ishte Shër Mëria e Illthit ?( Madonna delle Stelle)

Ashtu siç përmendëm edhe më sipër, në afërsi të kësaj kishe u vendosën arbëreshët që shkelën për për herë të parë në këtë zonë.

Pse arbëreshët e ndërtuan pikërisht këtu kishën e tyre?

Ndër shenjtorët e pikturuar në kulturen e a Shën Kostandinit është edhe baresha “Vrasilija”, e cila në afresk ka modelin e flokëve të krehura sipas zakonit të grave arbëreshe.

Një legjendë rrëfen që kësaj çobaneshe e quajtur Vrasilia, ju shfaq në ëndërr Shen Mëria e Yllthit, dhe i tha Vrasilisë që të shkonte te autoritetet, dhe të kërkonte ndërtimin e një vendi të shenjtë kushtuar Shenjëtores.

Vrasilija i kishte flokët e krehura e të mbledhura si arbëreshët. Vendi ku dëshironte të ndërtohej, faltorja e që do të ishte edhe shtëpia e saj quhej “ka Kxhula”. Shënjëtorja kishte shprehur dëshirën që të rrinte pranë komunitetit arbëresh.

Vrasilia, kur raportoi jo vetëm që nuk e besuan por edhe qeshën me të. Vajza rikthehet në vendin e shfaqjes dhe Shën Mëria i ledhatoi faqen, duke i lënë gjurmën e pesë gishtërinjve të dorës së saj. Ajo i tha Vrasilisë të shkonte përsëri dhe të bënte të njëjtën kërkesë tek autoritetet; Ata panë shenjat në faqe dhe kuptuan që shenjat ishin të shenjëtores. Vetëm në ato momente ata vendosën të pranojnë kërkesën, duke ndërtuar aty vendin e shenjtë. Shënim,afresku i Vrasilis me krehjen e stilit të grave arbëreshe, është një element i veçantë i rëndësishëm identiteti.

Historiku i Kishës Shën Meria lllëthit (Kisha Shën Mëria e Yllit)

Kjo kishë, ndodhet në një distancë të shkurtër nga qendra e banuar dhe përbën zemrën fetare të komuniteti të Shën Kostantino Albanese. Kisha është ndërtuar në shekullin XVII në një ndërtesë para-ekzistuese Bizantine të shekullit X-XI, siç shihet ka nje kube tipike me një çati të shkallëzuar që mbështetet në një cilinder katrore. Ajo është e zhytur plotësisht në mes të qiellit blu dhe ullishtes jeshile. Ne këtë pejsazh rreh zemra e komunitetit lokal.

Pjesa artistike

Kisha është e zbukuruar në mënyrë të pasur me afresket e shekullit të shtatëmbëdhjetë, ky art i atribuohet Belisario Correnzio. Sot mund të admirojmë vetëm një kor prej druri nga vitet 1700 të altarit të stilit barok. Në muret e presbiterisë, e cila është pothuajse një kompleks në vetvete, janë paraqitur apostujt. Në pendesa ka katër ungjilltarë me simbolet e tyre; afresku në kupolë përshkruan lavdinë e Parajsës. Këto afreske nuk mbajnë as datat dhe as emrat e atyre që i porositën por ato i atribuohen piktorit Belisario Corinzio

Ceremonia tek kisha“Nënë”

Rreth 10 minuta para se të fillonte ceremonia në ritin bizantin, arrin At Bellusci. Na takoi me përzemërsi. Ndihej gëzimi i tij, për pjesëmarrjen tonë. Komunikoi me kryetrarin e bashkisë, zotin Janibelli që të na sistemonte atë natë në një hotel, dhe pasi na siguroi neve si një prind që kujdeset për fëmijët e vet, shkoi në drejtim të ceremonisë, ku autoriteti i kishës Peshkopi Donato Oliveri, ishte gati për hapjen e ceremonisë, për t- iu uruar besnikëve dhe devotëve të kishës mirëseardhjen.

Në kishë Besimtarët arbëreshë, ndiqnin me interes çdo fazë të ceremonisë dhe me devotshmëri për këte rit, rit për të cilin shumë priftërinjë u egzekutuan, shumë vdiqën nëpër burgje, por edhe shumë u vranë, pikërisht për të ruajtur identitetin arbëror.

Mesha këtu bëhet në gjuhën shqipe, ndjenim atë alkimi, ku ndërthurej magjia e folklorit dhe atmosfera e kishës, të cilat u bënë një. Jehona e këngëve, përplasej në muret e asaj kishe ku dukej sikur ikonat nëper muret mbanin iso. Muzika e zamponjave, fyejve dhe dajreve, shkrinin tingujt në një sinergji solfexhi, ndërsa katedralja e shpirtërave humane fabrikonte entuziasmin e zemrave të këtij populli shekullor kaq të mrekullueshëm, që kish skalitur në deje, qënien arbërore.

Të rinjtë ishin veshur me kostumin e tyre tradicional. Burrat me tirqe, kapelen kaush me shirita, dhe çorapet e bardha. Ndërsa vajzat me fustanet e tyre, kamizollat me shirita të verdha, flokët e zbukuruar nga këzet e spingullat që dukeshin si perendesha të olimpit. Edhe fëmijët e vegjël ishin veshur me kostumet arbereshe, dukeshin si yjeza të vegjël të shpërndara në kaltërsi.

Folklori i festës, Nusazi.

Këtë vit kjo festë nuk u zhvillua, por unë e kam parë, dhe dëshirojë t’jua përshkruaj.

Kjo ceremoni është një skenë me 5 aktor:

Është një djall i zi gjigand me dy fytyra dhe katër brirë. Këmbët në formën e thundrës së kalit, me hosten dhe zinxhirin e kazanit, të quajtur kamastra Ai ka sy të kuq, përqesh dhe, është mburracak. Trupi i tij është sikur të jetë i mbuluar me pendë të zeza. Nuk tremb askënd. Pas tij, janë dy kovaçë të palodhur: ata rrahin pandërprerë në një kudhër. Gjendet një vajzë, nusja, me veshje arbëreshe. Ndodhet edhe një bari që si dhuratë, ofron gjizë. Secila nga këto kukulla ka rolin e vet.

Arbëreshët e San Costantino Albanese e kanë personalizuar duke shtuar edhe një tjetër figurë atë të San Giorgio. Një kalorës në të cilin i kanë vendosure edhe nje flamur shqiptar.

Piroteknikët përgatisin aktin e ndezjes. Lajmëtari “diell” njofton Shën Mërinë. Dielli ndricon sheshin. Shënjëtorja ka në kokë kurorën e saj me yje, e mbrojtur nga një tendë, e cila largohet nga kisha dhe qëndron në rreshtin e parë. Sheshi mbushet

Nusazitet që lamë natën e kaluar, tani edhe ata janë me vështrim drejt reve. Situata spektakolare shtohet kur zërat e tyre, ndërthuren me sytë që vështrojnë drejt shfaqjes piroteknike me zhurmë, ngjyra dhe shpërthim. Nuzasit, ndërsa rrutullohen në piruetin e tyre digjen dhe ajo skenë folklorike, magjike i shtohet atij besimi të këtij komuniteti qe gjyshërit e tyre, mes sakrificave dhe mundimeve, gjetën tek kjo figurë ushqim për shpirtin dhe besimin e tyre arbëror. Prej me shumë se 600 vjetësh Shën Mëria e yllit i ka shoqëruar.

Origjina e kësaj feste

Origjina e kësaj feste nuk është arbërore, por meksikane thone studiuesit, ndërsa banorët rrëfejnë se, në dekadat e para të shekullit XX, Giuseppe Chiaffitella, i njohur si Pllinja, kishte idenë për të bërë që një kokë djalli ta priste e të fluturonte sa më larg në momentin e daljes së Madonës nga Kisha. Antropologët e mohojnë këtë varjant dhe konfirmojnë që Këto kukulla në shpërthim kanë origjinën nga Meksiko e Amerikës Latine.

Na pëlqen ky hibrid: një qytezë në malet Lucaniane, një qytez arbëror që feston një festë Bizantine, dhe ku gëzimit i shtohet një rituale pagan. Tregimet dhe traditat takohen dhe përzihen me njëra-tjetrën. Migrimet sjellin kultura dhe krijojnë të tjera. Kujtime që bëhen bashkëkohësi, por ruajtja e identidetit e bënë këtë komunitet të veçantë si një copë diamant i rrallë në minierën humane.

Kuriozitet

Shën Mëria e Yllit të Shën Kostandinit, zbret nga mali në fillim të pranverës në mënyrë që të mos humbasë festën për nder të saj. Midis Lucania, Campania dhe Kalabria, Shën Mëria udhëton vazhdimisht midis maleve dhe fshatrave. Këtu, ajo zbret nga shenjtërorja vetëm për të shijuar fishekzjarret , dëshiron të përfshihet ashtu si ajo edhe iu premtoi këtij komuniteti që do të ishte gjithëmonë pranë, duartroketë, u është mirënjohëse fshatarëve. Pastaj ai kthehet përsëri në buzë të pyllit.

Dëshmi e identitetinë Shën Kostandin.

Mbasdite dolëm përsëri në fshat. Donim të njiheshim sa më shumë me këtë komunitet që ishin dhe vëllezërit tanë. Na bënin përshtypje se si na afroheshin, dhe na jepnin kofidenca sikur të kishim kohë që njiheshim.

Stella Scutari

Kjo zonjë arbëreshe, dikur kishte një kinkaleri në qendër, dhe tani ishte në pension. Me një buzeqeshje të ngrohtë na përshëndet nga oborri i saj dhe dalëngadalë na afrohet.

E përshëndesim dhe me një imazh të prokupuar na thotë:

-Jemi shumë të helmuar, sepse po asimilohemi nga dita në ditë. I patë ato vajzat e vogëla në kishë të veshur me kostumin arbëresh. Të gjitha janë italiane. Nuk dinë farë arbërisht.

Prindërit nuk ua kanë mësuar. Arbërish flasim vetëm ne të mëdhenjtë.

Nuk dimë se çdo ndodh me ne.

E lamë të fliste. Ishim përfshirë në ketë vorbull sa e vërtet por e hidhur, por nuk dinim se çfarë të thoshim. Ndonjëherë ndodh qe te gjendesh në disa situata që të duhet të heshtësh, sepse nuk gjen zgjidhje, sepse zgjidhja nuk varet nga ty.

Kjo grua, kishte në shpirt ndërgjegjen arbërore. Këtë na e vërtetoi kur tha:

-Bila ime që jeton në Torino di arbërisht dhe fëmijëve të saj u flet arbërisht. Na në shpia flasim arbërisht, dhe përjash italisht.

Pastaj gjithë krenari shtoi:

-Mbesa ime, Valentina Scutari, gjatë një konkursi për poezi u nderuar me çmimin e parë, “Premio Albania”.

Vetëm në ato çaste vumë re që sytë e saj morën njëngrohtësi, por edhe një dozë të lehtë malinkonie.

Anxhulin Chiafitella

Zonjën Anxhulinë e takuam tek kroi Çezareve. E pyesim si e ke emrin dhe ajo përgjigjet. Unë jam arbëresh dhe emrin do ta shkruash si të them Unë Anxhulina dhe jo “Angelina”. Vura buzën në gaz dhe e degjova pa e ndërprerë.

Jam rreth 80 vjeç. Gjithmonë kam folur arbërisht. Me gjirin (me fqinjët) flas arbërisht. Në shtëpinë time flitet vetëm arbërisht. Italisht flasim vetëm kur jemi në ambjente publike, institucionale, dhe me shoqërinë që nuk janë arbëreshë. Vitet e fundit gjuha nuk po trasmetohet. Shumë nga arbëreshët ndihen inferior, sepse kanë frikë që fëmijëve u ngel theksi i arbërishtes dhe nuk ndihen mirë kur dalin dhe komunikojnë me komunitete italiane që janë përqark. Kjo vjen sepse koshienca nuk u rrënjoset siç na është rrënjosur edhe neve. Shoqëria ka pësuar ndryshimet e saj, ka evoluar drejt globalizimit dhe kjo shkon në të kundërt të minorancave gjeopolitike.

Por toponimet kanë ngelur. Kujtoj që afër lumit “ka gurët” gjendej mulliri ce Durans, dhe mulliri funksiononte me uji. Kësaj këtu i themi “kroi i Çezarve”, sepse familjes ua thomi emrin Çezar.

Më poshtë është “kroi i Allvinit” e quajmë të tillë sepse është një bimë që ne arbërisht i themi Allvin.

Marestela Chiafitella

Me zonjën Anxhulin ishte edhe kushurira e saj, që herë pas herë plotësonte bisedën me kujtimet e saj. E pyesim si quhej . Më përgjigjet se emrin nuk duhet ta shkruaja Mariastella si rezultonte e rregjistruar tek dera, por duhet ta shkruaja Marestela, sepse ishte arbëresh dhe se arbërisht shqiptohej kështu.

Në fshat, kemi një zonë që ne i thërrasim Filandia- rrëfen ajo– Atje rrihnim gjineshtrën dhe përgatisnim fillin të cilin e punonim në Argali. Mëmat tona në tezgjah thurnin shumë rrugica, bënin perde, mbulesa tavoline.

Fillin e bënin nëpërmjet gjineshtrës (zana) e përpunonin dhe nxirrnin linon.

Bënim Çorape me motive si; Bredh, gjurmza mace, kuthèliza, gershërza, krrimthi, shkallza. Argalia (Tezgjahu) mbijetoji deri në vitet 1950, më vonë vetëm ndonjë familje e ruajti. Argalia ka veshur e mbathur shumë nga familjet arbëreshe në Shën Kostandino.

Na afrohet një zonjë tjetër arbëreshe dhe shton:

Nuk kemi shkolla shqipe. Riti na ndihmon disi për gjuhën, sepse lutjet i bëjmë në shqip.

Nò kishë Lutja nis me Ati Ynë:

“Ati ill çë je ndër qiell shëjteroj emri it e ashtu përdirja jote.. “

Vazhdon me Ave Maria:

Oj falemia Shër Merì je e rruan me hajdhi e Zoti ë me tij/

bekuar ti ndër gjith ktò grat bekuar karpoj barkun it/je sua Shër Merì

fëmijët i rrita me ninullë

S’esht bir se ë ill ( nuk është bir se është yll)

S’ë ill se ë bir ( nuk është yll se është bir)

Kur marton mëma ktë bir

Nga katund m’siell nj ill

Pa besimin nuk dinim se ku do shkonim. Na ndihmojë shumë- perfundoi ajo.

Mimma Magnocavalli.

Mimma, është një vajze e thjesht dhe e gjendur. Ndihmon shpesh në përhapjen e botës arbëreshe. Ajo na rrefen së në Shën Kostandin dikur ishte nje shoqatë, që arbërisht quhej “Voxa arbershe”, dhe një kor që quhej “Vijeshi”.

Sot ky grup nuk ekziston, edhe ajo si shumë arbëreshë të Shën Kostandinit e preokupuar na flet për shpopullimin që po humbasin çdo ditë e më tepër. Aty ku sot është ndërtuar stacioni ku bëhen fluturimet me shqiponjë gjenden gjashtë vaska shekullore. Tre janë burime me rubinet. Janë më antiket. Janë gjurmët e gjyshërve tanë. Detyra jonë është jo vetëm të mbajmë gjallë një memorie, por edhe ta vëmë në funksion, të trasmetojmë atë që na lanë gjyshërit, vetëm kështu nuk do asimilohemi.

Në darkë rreth orës 18:00 ishte takimi për publikimin e veprës.

Pasi pushuam rreth gjysëm ore tek hoteli, ku na kishte sistemuar Z. Bellusci, nisemi për tek shtëpia kanonika ku do të promovohej libri “Ricerca sul campo 1963-1975”.Ceremonia do të zhvillohej në ambjent të hapur. Nderonte me pjesëmarrjen e tij kryetari i komunës Renato Janibelli, famulltari Gannpiero Vaccaro, ishin të ftuar Peshkopi Donato Oliveri i cili kishte bërë Parathënien e librit dhe studiuesit Professor N. Scaldaferri, Dr Madalena Scutari , dy kuratorët e librit, si edhe Kryetari i komunës së fshatit tjetër arbëresh Shen Paolo Albanese, së bashku me famulltarin e kishës së fshatit .

Sheshi ishte mbushur me shumë njerëz. Ky libër i përkiste shpirtit të këtij komuniteti. Brënda atyre faqeve ishin rradhitur, mendimet e gjyshërve e stërgjyshëve të këtyre të rinjëve, në ato vargje të mbledhura ishte goja e këtij komuniteti, ishin rrahjet e zemrave të tyre, ishin lotët, ishin malli, ishin mundimet, hallet, ishin dasmat dhe vdekjet, por edhe gjenialiteti e atyre njerëzve të thjeshtë që ditën të jepnin, një emër, një identitet, dhe të mbanin gjallë frymën arbërore edhe sot.

At Bellushi i kishte ftuar në këtë “banket” të madh, të ndante shpirtin e tij me shpirtin e atyre njerëzve që shumica e tyre nuk ishte më fizikisht, por që venat e tyre kishin ndërthur yje, ku pikonin vargje, fjalë, toponomi, gjë a gjëza, rrëfime.

Brënda në ato faqe, rreshtat ishin si dallgë të një deti herë të egërsuar dhe herë i qetë. Ishte jeta e jetuar e një populli kozmik arbëror. Kjo dhuratë, ky folklor, nuk do të ishte thjesht një suvenir, por një det i hapur, ku busulla do orjentonte me qindra e qindra Odise, që kanë dhe do të lundrojnë në këtë arqibelag të gurrës popullore e do të kthehen tek shtëpia e tyre, tek rrënjët. Asgjë nuk është e fuqishme pa rrënjë.

Pasi e morën fjalën Nicola Scaldaferri dhe Madalena Skutari, rradhën e kishte At Bellusci. Ishin momente emocionuese, sepse ai nuk mori mikrofonin e të fliste për vete, por thirri një e nga një të gjitha ato zonja që para 55 vjetëve ishin përfshirë në kërkimet e tij. Pereth ishte një alkimi, një magji ku, zëri i dridhej, zemra i hidhej dhe fjalet e ngrohta të ngjyer në vena rridhnin të ngrohta, e krijohej ai kamp manjetik human, kur flasin vetëm zemrat.

Antonietta Brescia

Në darkë,shkuam tek hoteli. Ishte një mbrëmje e qetë.

Kur tek dera vumë re At Belluscin i cili vjen e na fton për darkë tek një nga familjet, që ishte mik i hershëm, që prej 55 vjetve. Në këtë familje ai ishte ndjerë si në shtëpinë e tij dhe dëshironte që të njiheshim edhe ne.

Shtëpia ishte në buzë të rrugës. Në krahë të djathtë të saj ishte një mural kushtuar Gjergj Kastriotit dhe Donika Kastrioti. Një pikturë kjo e arbëreshit Enzio Schilizzit.

Shtëpia ishte e zonjës Emili Schilizzi, një arbëreshë me një memorje të hekurt, që në vite kishte grumbulluar gurrën popullore dhe që At. Antonio Belushi i kishte rregjistruar. Sot kjo zonjë nuk jeton më, por është vajza e saj Antonieta Brescia, rreth 100 vjeç.

Hyjmë brenda. Ndihej një atmosferë festive. Gjetëm djalin e saj, nusen dhe nipin, që ishte në vitin e fundit në gjimnaz.

Sapo e shikon këtë zonjë arbërore, do të vësh re menjëherë butësinë dhe vitalitetin e kësaj grua.

Në një tavolinë, ku ke në krahë sinergjinë e At Bellushit dhe nga ana tjetër folklorin ë zonjës Antonieta, ndien që je një grimcë e vogël në atë vorbull me dy kollosë që njohin në deje shpirtin artistik të këtij komuniteti.

Më ftoi në dhomën e saj ku ruante kostumin e burrave. Ishte kostumi që së bashku me nënën e saj e kishin krijuar dhe qepur në vitin 1966, kur At Belushi ishte famulltar i kishës. E ruante të palosur me kujdes në një raft. Ndjeja gishtat e saj të shkathta por delikate, ndërsa hapte qesen. Më rrefente punën e saj me një thjeshtësi, por edhe shumë krenari. Kishte një fytyrë të ëmbël dhe lëvizjet e saj ishin të kordinuara aq të ngrohta sa të përfshinte dhe të bënte për vete, e të ndiheshe mirë pranë saj, por ishte edhe një grua shumë dinjitoze kur fliste për çështjen arbërore.

Atë natë ajo na kujtoi një pjesë të mirë të folklorit, përrallat, gjëagjëzat, këngët, lutjet, çdo gjë që ishte e lidhur me traditat arbërore. Me shumë interes kujtojmë vargjet e kultit te diellit

E jëma shën Mitrit

E mbjodh e bëni kunxile

E të midh diellin

E të m-e vëni nd-filaqi

E të vëni mbrënda ndë nj grut

E të m-e blidhij fort me bot

E mos t-shih fare drit

Shën Mitri arbëreshët quajnë mujin tetor.Është periudha e mbjelljeve.Kulti i fekondimit të farës me diellin e cila korrispndon me ekuinoksin Dimrit dhe verës, sepse arbëreshët njohin vetëm dy stinë *. Musikologu N. Scaldaferri konfermon që kjo këngë e kultit të diellit, edhe nga struktura muzikore, në blloqe kordale, është një nga shembujt më interesantë të polifonisë arbëreshe.

Mëma Antonieta nuk është vetëm një magaziniere e folklorit, por për moshën që ka edhe shumë aktive. Ajo na kishte përgatitur disa ëmbëlsira. Si unë, Brizida dhe At Bellushi për të cilin tavolina është një gjë e shenjtë i provuam dhe e uruam: Ju lumshin duart, ndërsa ajo na u përgjigj: – Na arbëreshët thomi: Ju bekofshin Duart!

E falenderuam me shpirt, dhe u larguam. Mendoj, se nuk gjenden fjalë, për këta njerëz, si kjo arbëreshe, gjigande në modestinë e saj , sepse këto zemra me shumë se komunikimi, lënë gjurmë të thella shpirti i tyre. Ata sy të saj, të njomë prej viteve që kishin mbi shpinë, ngelën si një tatuazh në zemrën time.

Arbëreshët, janë pjesë e asaj trashëgimie të pasur të larmisë gjuhësore dhe kulturore të pranishme në Itali por edhe në ato vende të tjera ku ata kanë emigruar. Arbëria dhe arbereshi në shekuj ka befasuar, me sakrificat, me këmbnuljen, me genin e të qenit arbëror, ku prej 600 vjetëve edhe pse i raskapitur u reziston sfidave të asimilimit, dhe qëndron stoik.

Ndahemi nga kjo qytezë, nga kjo burbuqe, që psherëtinë me jehonën e saj delikate, ku rrahjet e zemrës i ka mbështetur, tek rimat e “ Mëmës yll”, ku flladi, i mrekullueshëm, i ofruar nga peisazhi Lucan, e përshtat atë kaq unike në thjeshtësinë e saj, por edhe kaq solemne në historinë e saj. Ajo qëndron si zanë arbërore zhytur ne diafragmën e gjelbër të Polinit shekullore.

Urimi ynë ishte: Ruani, gjuhën, ritin, kostumet, e çdo gjë që ruajtën me fanatizëm të parët tanë, dhe trashegojeni në sytë e kujt dëshiron të dijë historinë dhe kulturën e komunitetit arbëror- kjo është një shenjë civilizimi!

Tashmë kishim dalë në rrugën kryesore, në krahë të majtë lumi Sarmento; i heshtur, disi i zbrazët, dukej i lodhur, plot me zalle, me një shtrat hapsinor, ashtu si shpatullat e arbëreshit, të thata, por edhe të gjera, sepse në vite mbajtën peshën e atij fati nuk ishte treguar kaq bujar.

Te dyja Ishim të heshtura, dhe të pushtuar nga një hije mallëngjimi.