“Caldera Vista” hyn në portin e Selanikut mbrëmjen e së hënës duke sjelle 645 nga rreth 1500 azilkërkuesit prei kampit më të madh të refugjatëve në Europë, atij të Morias në ishullin Lesvos.
Bashkë me pjesën tjetër që mberrin disa orë më vonë, rreth 1000 prej tyre, dërgohen me autobuse drejt qendrës së pritjes në Nea Kavala të Kilkizit dhe të tjerët në qendra të ndryshme të Greqisë se Veriut.
Transferimi i refugjatëve , shumica gra dhe fëmijë, është pjesa e parë e një plani qeveritar që ka si qëllim lehtësimin e kampit të Morias ku aktualisht mbahen mbi 10000 vetë, rreth katër herë më shumë se kapaciteti i tij, ndërsa 300 refugjatë dhe emigrantë të tjerë kane mbërritur me varka nga brigjet turke në bregdetin e Lesbos gjatë fundjavës, duke vënë në alarm autoritetet greke pasi fluksi i mbërritjeve ka arritur nivelet e vitit 2015.
“Në Moria nuk ishim mirë, për shkak të shumë problemeve që përballonim. Nuk kishin ujë, nuk kishim ushqim”, thotë nnjë refugjat i sapo ardhur në Selanik.
Ka muaj që organizata të ndryshme qeveritare kritikojnë kushtet e vështira të jetesës në kampin e Morias, por javët e fundit për shkak të mbërritjeve të mëdha, gjendja po shkonte jashtë kontrollit.
Qeveria greke ka deklaruar këtë fundjavë pas mbledhjes së Këshillit për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes, një politikë më aktive të emigracionit, me masa më të rrepta kontrolli, duke shtuar patrullimet në porte dhe duke i shpërndarë një pjesë të atyre refugjateve që mbahen kryesisht në katër ishuj të Egjeut, në Greqinë kontinentale.
Gjendja e krijuar me refugjatët është bërë edhe objekt i polemikave të ashpra midis Qeverisë dhe opozitës greke.
/Aleksandër Marku