Qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë në vjeshtë presin që të zyrtarizojnë ngritjen Byrosë Kombëtare të Hetimit. Teksa Struktura e Posaçme Antikorrupsion mund të marrë disa muaj kohë për shkak të vonesave me KLGJ e KLP, vëmendja është përqendruar te Byroja Hetimore, si organ policor që do të zbulojë aferat e politikanëve shqiptarë. Opozita po bën ç’është mundur që organet e reja të drejtësisë të vonohen, por ndërkombëtarët po kërkojnë që BKH të jetë gati. Byroja do të vendoset te godina e ish-Ministrisë së Shëndetësisë, ngjitur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ajo ka filluar të rikonstruktohet dhe po ndërtohen dhe tunele të nëndheshme që të ketë lidhje mes BKH dhe policisë. Po ashtu SHBA ka filluar të trajnojë disa efektivë policie, si dhe ekspertë kontabël, financierë, IT dhe të degëve të tjera të cilët më pas do të garojnë për Byronë e Hetimit.
Sipas “SOT”, SHBA është duke piketuar njerëzit që do të vihen në organin që do të godasë korrupsionin në nivele të larta. Sipas ligjit, BKH do jetë pjesë e SPAK. Por teksa Prokuroria e Posaçme do ketë në fokus krimin e organizuar, trafiqet dhe korrupsionin, BKH do ketë në fokus vetëm pushtetarët e lartë, nga Presidenti e deri te deputetët e gjyqtarët e thjeshtë. Sipas përcaktimeve në ligj, çdo person që ka kaluar testet dhe kushtet për të qenë anëtar i Byrosë, i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. Po ashtu çdo dy vjet hetuesit do kalojnë në testim dhe kush ngel, largohet nga detyra. Pra, kjo do të thotë se Byroja e Hetimit do jetë mjaft e përgatitur dhe rol shumë të madh do kenë të huajt.
Agjenti i FBI
Një agjent i FBI do qëndrojë aty për më shumë se dy vite dhe do japë udhëzime për luftën ndaj korrupsionit. FBI do këtë një zyrë të vetën që do bëjë trajnime. Nga ana tjetër edhe në SPAK, SHBA-BE do kenë zyrat e tyre. Elementi tjetër është që fokusi i saj do jetë vetëm korrupsioni në nivele të larta, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, etj. Ndërsa Prokuroria e Posaçme do fokusohet te krimi i organizuar dhe te korrupsioni në nivele të tjera. Edhe pse Byroja është organ varësie i SPAK, ajo do funksionojë si në një godinë më vetë dhe do ketë detyra specifike.
Përbërja e BKH
Sipas ligjit, Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës. Ajo ka gjithashtu në përbërje të saj shërbime të Policisë Gjyqësore, të përbëra nga oficerë të Policisë Gjyqësore, nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilët janë nën drejtimin administrativ të Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe nën varësi procedurale hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Punonjësit e shërbimeve mund të qëndrojnë në mjediset e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ato të Policisë së Shtetit apo ato të institucioneve përkatëse, sipas nevojave të përcaktuara nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Policia gjyqësore
Byroja Kombëtare e Hetimit ka në përbërje të saj dhe shërbime të Policisë Gjyqësore. Qëllimi i tyre është të rrisin bashkëpunimin dhe komunikimin midis Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe institucioneve të tjera, si dhe të ndihmojnë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme, që kryhen nga institucione të tjera. Oficerët nga shërbimet e Policisë Gjyqësore konkurrojnë për të punuar pranë shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit për një periudhë pesëvjeçare. Gjatë këtij mandati, ata paguhen nga Byroja Kombëtare e Hetimit, raportojnë tek zëvendësdrejtori dhe do të vlerësohen nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ata janë të pavarur prej institucionit të tyre dhe vendosen nën varësinë procedurale hetimore të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Hetuesi i BKH
Byroja ka në përbërje të saj dhe hetues. Hetuesi gëzon statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore dhe kryen hetime vetëm nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Sipas ligjit kandidati për hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhet pas një procesi rekrutimi, që mbështetet në praktikat më të mira të rekrutimeve konkurruese, të cilat parashikohen në një rregullore të hartuar dhe miratuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një kandidat mund të emërohet si hetues vetëm pasi të ketë përfunduar trajnimin përkatës dhe të ketë shfaqur aftësitë, që garantojnë kryerjen e detyrave sipas standardeve të kërkuara profesionale. Emërimi i hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit bëhet nga drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.