Prokuroja Esmeralda Keshi Cami është zgjedhur anëtarja më e re e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pas shkarkimit nga detyra të Gentian Osmanit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për problemet me pasurinë, ditën e djeshme u mblodh Asambleja e Prokurorëve, e cila ka përzgjedhur ish-drejtuesen e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshin si anëtare të KLP. Në garë për këtë vend vakant ishin dy prokurorët zonja Cami dhe Vladimir Mara.
Kështu, ish-drejtuesja e institucionit të akuzës Dibër u shpall fituese me 133 vota nga 253 të pranishëm, ndërsa rivali i saj në garë Vladimir Mara, grumbulloi vetëm 109 të tilla. Por si në çdo votim nuk munguan edhe votat e pavlefshme që ishin 11 të tilla, pasi prokurorët ose kishin votuar për të dy ose e kishin lënë bosh fletën e votimit. Keshi është zgjedhur si anëtare e 11-të e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndërkohë, gjatë një prononcimi të shkurtër prokuroja Cami falënderoi kolegët për besimin që i dhanë, duke shtuar se do ta ushtrojë me rigorozitet postin e saj, duke ndihmuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë në sfidat e tij. “Qëllimi im do jetë të përfaqësoj prokurorët dhe të ndihmoj ata në ushtrimin e detyrës dhe në kushtet në të cilën po ushtrojnë detyrën prokurorët në gjithë Shqipërinë”, deklaroi ajo. Ndërkohë, e pyetur se për kë do të shkojë vota e saj, sa i takon garës për kryeprokuror, duke qenë se është anëtare e KLP, zonja Cami theksoi se do të votojë atë kandidat që plotëson kriteret. “Vota ime është një votë që do jetë e bazuar në kritere siç e parashikon ligji”, nënvizoi ajo. Emri i prokurores Esmeralda Keshi u lakua pak muaj më parë në media për debatin që zhvilloi me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku në lidhje për dosjen “187”, e cila i kaloi për kompetencë Dibrës. Ndërsa Vladimir Mara njihet si prokurori i dosjeve të nxehta “339” dhe “Tahiri”.
Prela përjashtohet nga votimi
Mbledhja e prokurorëve u thirr nga drejtuesja e Përkohshme, Arta Marku, e cila është edhe një nga kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm me mandat 7 vjeçar, ku konkurrojnë edhe prokurorja e Apelit, Fatjona Memcaj dhe prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela. Por edhe pse gjithçka ishte planifikuar të niste paraditen e djeshme në ora 10:00, Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku iu desh të priste vartësit e saj për më shumë se 30 minuta, pasi ata nuk respektuan orarin. Kjo tregon se reforma i ka “lodhur” prokurorët, të cilët janë duke pritur me ankth vetingun dhe ja u kanë varur çështjeve të tjera. Mirëpo, mosrespektimi i orarit të mbledhjes e votimit, i hoqi të drejtën e votës edhe drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Kjo e fundit mbërriti në votim në një kohë kur kutia ishte mbyllur, duke e lenë jashtë procedurës. Në një prononcim për mediat, Prela bëri me dije se kishte një angazhim tjetër që i ka pamundësuar të mbërrinte në kohë.“Kisha një angazhim tjetër prandaj nuk mund atë vija në kohë”, deklaroi Prela.
Ja si u shkarkua Gentian Osmani
Prokuroja Esmeralda Keshi (Cami) zëvendësoi prokurorin Gentian Osmani, i cili u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Prokurori kishte kaluar procesin e vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por vendimi u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi 3 gjetjet kryesore të Komisionerit Publik, por vendosi shkarkimin e ish-prokurorit të çështjes Tahiri për mosjustifikim të shpenzimeve në vitet 2011-2013. Në këto vite sipas KPA-së, Gentian Osmani nuk ka arritur të justifikojë shpenzimet dhe kursimet. Shuma për të cilën bëhet fjalë është 1 milion lekë. Sipas Mulajt, vendimi i shkarkimit të Osmanit nuk do të ndikojë në vlerësimin e bashkëshortes së tij, e cila është gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. /Rigels Seliman