Redi Popescu, pronari i lokalit Monopol, ku ndodhi ‘masakra e Bllokut’ më 4 Tetor, është arrestuar ditën e djeshme.
Popescu mësohet se, është ndaluar me vendim gjykate pasi dyshohet se ka prishur provat duke fshehur armën e Ervis Martinaj dhe ka penguar hetimin në zbardhjen e të vërtetës duke dhënë dëshmi të rreme.
“Arrestohet një tjetër shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një lokal në mbrëmjen e 04.10.2018 ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. H., dhe E. M.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës arrestuan për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, shtetasin:
– Redi Popescu, 40 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal”, njoftoi Policia e Tiranes.