Gazetarja Rudina Xhunga ka bërë një përmbledhje të të gjitha ngjarjeve të kësaj jave të zezë për qytetarët shqiptarë, të cilët u përballën me një tërmet katastrofik, që mori 51 jetë njerëzish, la qindra të plagosur dhe mijëra ndërtesa të kthyera në gërmadha.
Xhunga e pyetur për prishjen e provave dhe kërkesat e Ilir Metës tha:
“Unë nuk mund të jap mend. Ata që po i prishin, e dinë më mirë se ne. Unë i jam shumë mirënjohës faktit që në këtë vend ka akoma njerëz që jo vetëm treguan solidaritet, por edhe na mbajtën mendjen, siç ishte Luljeta Bozo. Do të kalojë dhjetori, do të vijë janari, do të kemi kohë për ta ndarë si e kush. Tani duhet të bëhemi bashkë.
“Të themi dhe ne nja dy kërkesa, se ishin tre të Bashës, tani të Metës. Të gjithë mund të kenë kërkesa, Meta ka qenë ministër, zv.kryeministër, Basha ka qenë ministër, pra janë njerëz që e dinë çfarë po ndodh. Ajo që po presim ne është fotografia e përbashkët. Kërkesat le t’i bëjnë në privat, nuk ka fare kohë për t’u ndarë, por për t’u bashkuar. Mund të vijë një tjetër moment bashkimi, pasi rimëkëmbja e situatës do të ketë nevojë për kontributin e të gjithëve dhe për një fotografi të përbashkët. Ky është momenti për t’u fokusuar dhe për të ndihmuar. Po nuk di dhe nuk je i dobishëm, bën mirë të heshtësh.”