Edhe në qofshin hipokrite, fjalët e Rrahman Raja-s në aktin e dorëheqjes si deputet janë më të gjetura e më të vërteta se ato të Blendi Çuçit, pas rastit të tmerrshëm të dhunës barbare të Rajave mbi dy kushërinj, e cila nxorri në pah korruptimin e rëndë të pushtetit, një aleancë e ulët të tij me krimin dhe llumin e shoqërisë.
Blendi Çuçi, policia e të cilit ishte kthyer në shërbim të një fisi në formë bande, Rajave në Fushë Krujë, duhet të mos bënte “të fortin” kur në publik doli ashiqare ajo çfarë ziente prej kohësh, duke dhënë deklarata se sa e devotshme ishte trupa e tij policore, por duhet të kishte kërkuar ndjesë publike dhe të vetëqërohej, pa pritur ta shkarkohet Rama. Ky i fundit nuk është pa gjë në këtë që po ndodh dhe jo thjesht aksidentalisht: krimi në Shqipëri ka fituar pushtet si kurrë më parë që prej ardhjes së tij në pushtet dhe sa kjo është objektive apo subjektive është e diskutueshme, por jo si e vërtetë e qartë dhe madje dramatike.
Kështu, ka rënë dhe i ministri i radhës në Rend, nga rendi ende i pa vënë që prej kur Rama erdhi në pushtet, prej skandalit të radhës. Dhe kur themi “rend i pavënë” nuk është fjala për dobësinë e shtetit për të luftuar e triumfuar mbi krimin, por për këtë të fundit të bërë shtet prej një pushteti të madh.
Doni provë? Shihni kanabizimin se si sot prodhon krim pakrahasimisht me atë që ndodhte më Lazaratin.
Lazarati ishte kanabizim ekonomik por jo kriminalistik. Nga Lazarati nuk ka patur viktima si sot, përkundrazi. Ajo që ndodhte më fshatin nammadh ishte e gjitha veç ekonomi, sigurisht me bazë një të keqe shoqërore, por ama gjeneronte ekonomi e jo krim. Mënyra se si shpërndaheshin të ardhurat nga Lazarati, ku të gjithë shtresat kishin pjesën e tyre, pa u kriminalizuar, ishte “lule” në krahasim me kanabizimin e sotëm që është pasurim selektiv, me vetëm krimin që fiton dhe kriminalizuar në ekstrem me viktimat që prodhon.
Rama e hoqi Çuçin, si sinjal se diçka e rëndë po ndodh në rend, por a është vetëm në rend apo në të gjithë mënyrën e qeverisjes?
Do ishte mirë ta pranonte që është kjo e dyta. Rasti më Rajat nuk është aksidental, as një devijim nga cilësia e përgjithshme qeverisëse e tipit një “dru i shtrembër që prish stivën”; është vetë qeverisja që detyrohet të korr atë që mbjell, rregullisht.