Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka reaguar pas arrestimit të ish-ministrit Ilir Beqaj për abuzimet me fondet e BE gjatë kohës që drejtonte SASPAC. Ai tha se duhet të njihet me fakte, që më pas të japë komente.
Erion Braçe: Sa kohë bëhet fjalë për vjedhje duhet të shohim një informacion më të zgjeruar se ai që kanë dhënë mediat.
Patjetër që reforma për këtë u bë, për të mbajtur përgjegjësi zyrtarët që abuzojnë me ligjin, pavarësisht fuqisë politike apo ekzekutive që ka. Dua t’ju sjell në vëmendje që ende nuk ka përgjegjës për 21 janarin, ku janë vrarë njerëz, për Gërdecin ku janë vrarë njerëz, jo më për ata që kanë vjedhur. Kjo është më e rëndë.
Patjetër që kur ka implikime me fondet e BE duhet parë shumë seriozisht gjërat, qoftë te fondet e bujqësisë apo fondet e tjera të BE.
PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale, patjetër që po e mban një përgjegjësi, kur të paraqitemi para një gare elektorale, patjetër që secili mban kosto. Por, PS është e angazhuar në një proces të thellë reformim me qëllim të adresojë korrupsionin.
Peshorja ka humbur ekuilibrin sa herë që merren jetë njerëzish dhe askush nuk mbahet përgjegjës. Drejtësia duhet të jetë gjithëpërfshirëse duke nisur nga ngjarjet që kanë shënjuar në këtë vend. Këtu është marrë jeta e njerëzve edhe për të vjedhur dhe prapë s’ka reagime.