Dajna Sorensen, zv/ministre e Financave dhe Ekonomisë, vlerësoi raportin e publikuar së fundmi nga Banka Botërore, mbi rritjen e punësimit në Shqipëri, si një fakt real që dëshmon arritjet pozitive në vendit tonë në tregun e punës.
Në një prononcim për ATSH-në, Sorensen tha se, “në të gjithë rajonin në harkun kohor të një viti janë krijuar 68 mijë vende pune, nga të cilat 38 mijë e 700 vende pune janë krijuar vetëm në Shqipëri”.
“Kjo është një shifër shumë domethënëse që i referohet punësimeve të reja sipas anketës së forcave të punës”- tha Sorensen për ATSH.
Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, theksoi se raporti i Bankës Botërore në rastin konkret identifikon dy sektorë prioritarë që kanë thithur numrin më të lartë të të punësuarve, industrinë dhe shërbimet si sektorët që kanë rritjen më të madhe në punësimit
Tregu i punës në Shqipëri, po vijon të përmirësohet ndjeshëm krahas rritjes ekonomike. Pjesa më e madhe e vendeve të punës janë krijuar në sektorët e industrisë dhe shërbimeve.
Banka Botërore vlerëson se ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, rritja më e madhe e vendeve të punës me 3,3% ka ndodhur në Shqipëri.
Sipas raportit “Zhvillimi i Tregjeve të punës në Ballkanin Perëndimor” prezantuar një ditë më parë nga Banka Botërore dhe Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, janë krijuar rreth 68.000 vende të reja pune përgjatë tremujorit të dytë 2017 dhe tremujorit të dytë 2018, krahasuar me 231.000 vende të krijuara një vit më parë në të njëjtën periudhë.
Rritja me e madhe e vendeve të punës me 3,3% ka ndodhur në Shqipëri dhe Mal të Zi, të ndjekura nga Maqedonia Veriore me 2,1%.
Në raportin e BB-së “Për zhvillimin e tregjeve të punës në Ballkanin Perëndimor”, thuhet se papunësia shënoi ulje në Shqipëri, duke kapur normën 12% në vitin 2018.