Mbledhja e Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up është shoqëruar me debate të ashpra.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja Albana Vokshi ka kërkuar shtyrjen e afateve të mandatit të komisionit, propozim i cili nuk u mbështet menjëherë nga ana e anëtarëve të mazhorancës, ku kryetari i komisionit Plarent Ndreca tha se diçka e tillë mund të diskutohet edhe më vonë, por duhet të vijojë fillimisht puna për të intervistuar ish-ministrin Beqaj, si një nga dëshmitarët kyç të objektit të këtij komisioni.
Edmond Spaho: Nuk duhet thirrur Vilma Nushi si dëshmitare, pse nuk doni të vijë këtu apo ka status special?
Thoni publikisht që edhe kryeministri nuk dëshiron të vijë në komision dhe nuk do t’i dijë për përgjegjësinë për 200 e ca mln euro që ka për qytetarët. Nuk mendoj se puna e komisionit duhet të mbyllet pa u marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët që kemi kërkuar që në fillim.
Ilir Metaj: Harxhuam 2 orë kohë dje për të vonuar rendin e ditës dhe mesa duket këtë skenar keni edhe sot. Keni kërkuar shtyrjen për të disatën herë. Keni shpikur mënyrë të sofistikuar të të bërit politikë, nëpërmjet “ shtyrjes së rishtyrjes së shtyrjes”Mbase keni vendosur të zgjasni komisionin edhe që të harroni për çfarë jeni mbledhur. Mbase doni të jeni këtu edhe në mandatin e 10 në opozitë. Për këtë pjesë 10 mandate opozitë, do u ndihmojmë me kënaqësi, për këtë pjesën që duhet të zgjasë aq edhe ky komision, nuk u ndihmojmë dot.Nuk kemi faj ne që kohën për punë ju e konsumoni duke djegur karrige, jo duke mbajtur shënim gabimet mos t’i përsërisni.
Vokshi: Deklaratat politike bëji në Surrel. Fol për procedurë, për mandatet shko te PS apo në Surrel. Futu direkt në rolin që të kanë dhënë, aman.
Metaj: Thuaj edhe një herë aman, do e thuash edhe një herë? Nëse doni leksione si fitohen zgjedhjet, dhe si ndërtohet një shtet, mbase Edi Rama e gjen kohë në axhendë të planifikojë një seminar workshop me ju. Të mos humbim kohë e të kalojmë në rendin e ditës.
Korreshi: Dua ca leksione si ta kemi krimin e organizuar nga Rama, si vidhen kaq lekë nga buxheti i shtetit, si rrihet duke ngrënë dardha pas, ose të thotë jam frikacak e nuk ma mban prapanica të vi në komision.
Ilir Metaj: Keni treguar prej kohësh që kur nuk keni argument e zbrisni dhe e zbrisni dhe e zbrisni fjalën derisa ja jepni prapanicës. Këtë sapo bëri ky zotëria. Po tek e fundit aq e keni majën, deri aty arrini. Sa për Edi Ramën, një nga shumë gjërat që mund t’u mësojë është si të bëhen projekte për të ndryshuar Shqipërinë dhe pastaj si punohet për t’i bërë realitet. Po që të kuptoni këtë, duhet të dilni mbi nivelin e prapanicës. Pra jeni të pashpresë.