Monika Kryemadhi, pas thirrjeve për rebelim, është shfaqur me një tjetër këndvështrim ndaj kryeministrit Edi Rama.
Parashikimi për humbjen, shkatërrimi i LSI, pazaret zgjedhore, apo frika e përballjes me drejtësinë duket se kanë detyruar Kryemadhin që të zbutet ndaj Ramës.
Ajo që vihet re, është se ky ndryshim i Kryemadhit ka ardhur disa orë pasi drejtuesi i LSI në qytetin e Pukës, Demir Syla është proceduar nga Policia, pasi hartonte lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës.
Kryemadhi është pyetur në rrjete sociale se a do të fuste në burg Edi Ramën, nëse do të bëhej Ministre e Brendshme.
Përgjigjja e saj nuk ngjante me të dikurshmet, kur fliste për t’i ngrënë veshin apo për qeli e shokë qelie.
“Unë mendoj që dënimi më i madh për Edi Ramën është rrëzimi nga pushteti. Burgun ia ka bërë vetes atje në Surrel”, është përgjigjur Kryemadhi.
Blerja e votave nga LSI nuk është gjë e re, pasi ata në këtë mënyrë janë mbajtur dhe e kanë ekskluzivitet, por si e re mund të konsiderohet luhatja e Kryemadhit ndaj Ramës.
Kujtojmë se në vitin 2019, ndërsa parashikonte fatin e kryeministrit Rama në studion e emisionit “Të paekspozuarit” në Neës 24, pasi një gjë të tillë ia kërkoi drejtuesi i emisionit Ylli Rakipi, kryetarja e LSI-së tha se Rama do përfundojë në burg.
“Do shkojë në burg Zoti Rakipi..meqë i ishte lutur Bashës si të ishte vajza më e bukur, do shkojë në burg se e kishte këtë merak, në burg mund të gjejë çuna të bukur”,- tha ajo.
Edhe një vit më vonë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila reagoi, pasi Kuvendi mirato me 97 vota Kodin e ri Zgjedhor, i përmendi Ramës, qelinë.
Në deklaratë për mediat, Kryemadhi paralajmëroi kryeministrin Rama se do të përfundojë në burg, duke u bërë bashkëpunëtor me kolegët e tij.
“6 muaj nuk i mjaftojnë për të pastruar pisllëqet. Janë 6 muajt e fundit të cilat kufomës politik do ti dalin në ëndërr. Më kot lodesh, era e qelbur që të rrethon ty nuk mund ta mbulojnë as parfumet më të shtrenjta.
Ti zotëri e ke vendin tek bashkëpunëtorët e tu. Aty ku i ke çuar bashkëpunëtorët e tu dhe siç ndodh rëndom do të jesh kolegu i qelisë së tyre”, u shpreh Kryemadhi./CNA.al