Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të shkarkuar prokurorin Ramadan Trocin.
Trupa gjykuese e përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë ka vendosur shkarkimin e Trocit.
Troci njihej edhe si prokurori i ‘VIP-ve’, për shkak se ka urdhëruar arrestimin e Ardian Fullanit dhe Shpëtim Gjikës. Në vendimin e shkarkimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka krijuar bindjen se Ramadan Troci ka fshehur pasuri të paluajtshme në emër të personave të afërt.
Troci ra në rrjetën e vettingut për mosjustifikim pasurie, ku përfshihej një apartament 94 metra katrorë në zonën e Selitës, por edhe për hetime të paplota të incidenteve me pasoja vdekjen dhe plagosjen e disa minatorëve në minierat e Bulqizës kur Troci ishte prokuror në atë rreth.