Kryeministri Rama ka prezantuar sot nga salla “Iliria” e Qytetit Studenti projektin për Kampusin e Ri Universitar që do të ngrihet në këtë zonë.
Rama theksoi se ky është vazhdimi i një pune që nisi në vitin 2015 për ngritjen e kampusit, por që ngeci për një arsye konkrete, zaptimin e territorit që i përkiste universitetit në qytetin studenti nga njerëz të lidhur me partinë demokratike.
Sipas Ramës, pasi ndërtuan dhe i rregjistruan pronat e tyre, ata do të marrin edhe dëmshpërblim nga shteti, në mënyrë që të lirohen hapësirat për kampusin.
Rama risolli shembullin e vëllait të Presidentit Bujar Nishani, i cili privatizoi mencën e qytetit studenti dhe e ktheu atë një pikë llotoje.
“Projekti ngeci për një shkak shumë konkret dhe domethënës sepse gjithçka e parashikuar të bëhet në këtë territor, ka nevojë për territor. Territori rezultoi nga të gjitha të dhënat e mbledhura, një tokë e xanun nga politikanët e partisë që lindi në qytetin studenti.
Këtu ku lindi fuqia për të transformuar Shqipërinë, ata rrëmbyen pronat. Simboli i kësaj është marrja e mencës së madhe të qytetit studenti, nga vëllai i presidentit të Republikës, ose vetë presidenti, se mos të ishte vëllai s’do merrte dot as një lugë, jo mencë, dhe e ktheu atë në lloto”, tha Rama.
“Bibliotekat u kthyen në klube striptizmi ose në lloto dhe po ashtu u zaptuan godina për qëlime personale, u ndërtua pa leje, u ndërtua edhe me leje.
Këta nuk janë thjesht zaptues që mund t’i marrësh dhe largosh. Këta tani janë pronarë, kanë rregjistruar prona këtu dhe në legjislacionin tonë, u rregjistrua si u rregjistrua, prona e rregjistruar nuk shbëhet dot veçse duke i shpronësuar me lekë në dorë.
Pasi e përdhunuan qytetin studenti, tani do t’i marrin dhe para me të cilat mund të rindërtoheshin të gjitha këto hapësira, sepse janë pronarë.
Ndaj u vonua projekti i kampusit. Ligjerisht nuk duheshin bërë legalizime sepse ky është territori i universitetit. E vetmja rrugë për të nisur ndërtimi i kampusit është t’i shpronësojmë, rrugë tjetër nuk ka”, përfundoi Kryeministri.
Kreu i qeverisë siguroi se brenda këtij mandati qeverisës do të përfundojë rikonstruksioni i të gjitha godinave të konvikteve në qytetin studenti.