Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të prezantojë buxhetin e ri për ushtrinë nga baza e Kuçovës. Duke folur gjatë prezantimit të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për 2019, i pari i qeverisë dha dje detaje nga projekti i NATO-s, që ka zgjedhur që të ketë në Kuçovë bazën e saj ushtarake në Shqipëri. Rama bëri me dije se investimi në fjalë kap shifrën e mbi 50 milionë euro, ndërsa u shpreh i bindur se ky investim do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së ushtrisë shqiptare. “Më vjen vërtetë mirë që jemi këtu, në bazën e Kuçovës, për të folur për buxhetin e mbrojtjes për vitin e ardhshëm dhe për të vënë në dukje një fakt tejet të rëndësishëm për të sotmen dhe të nesërmen e Forcave tona të Armatosura, transformimin e kësaj baze, në një bazë taktike të NATO-s.
Morëm angazhimin e NATO-s për të investuar në këtë bazë mbi 50 milion euro. Është investim që do të mundësojë transformimin e kësaj hapësire në një aeroport ushtarak standardesh të NATO-s, që do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizimet ajrore, për logjistikën, për policimin ajror, si dhe për trajnimin dhe stërvitjet e Forcave të Aleancës. Patjetër që kjo do të jetë njëkohësisht edhe një bazë kombëtare për Forcat Ajrore të Shqipërisë, duke kërkuar mundësinë e një standardi të ri të Forcave tona të Armatosura në këtë sektor të posaçëm”, deklaroi ai.
Zhvillimi i zonës
Kryeministri Edi Rama deklaroi më tej se ky investim do të përkthehet në më shumë vende pune dhe zhvillim ekonomik për zonën. Madje, i pari i qeverisë bëri me dije se ai dhe qeveria që drejton është e vendosur të përmbushë kërkesat ndaj, siç është rritja e buxhetit të ushtrisë për vitin 2019 me plot 222 miliardë lekë të vjetra. “Ky investim do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe social të të gjithë kësaj zone, ku ndërtimi i një baze ajrore të teknologjisë së fundit, jo vetëm do të thotë më shumë punësim, por edhe më shumë ekonomi dhe konsum në një rreze të caktuar rreth saj.
Mendoj se është në vëmendjen e të gjithëve se ne jemi të angazhuar shumë seriozisht për të përmbushur objektivat e përcaktuara për çdo vend në kuadrin e Aleancës dhe buxheti i vitit 2019 për mbrojtjen është pasqyrë e këtij angazhimi dhe e seriozitetit të vendit tonë, të konfirmuar drejtpërdrejtë, edhe në Samitin e fundit, nga vetë Presidenti i SHBA. Buxheti i mbrojtjes për vitin 2019 arrin faktikisht në 22 miliardë lekë, ose 220 milionë dhe përbën një rritje prej më shumë se 10% krahasuar me këtë vit”, u shpreh ai.
Rriten pagat e ushtarakëve
Kryeministri Edi Rama lajmëroi dhe rritjen e pagave për Forcat e Armatosura, të cilën e konsideroi rritjen më të madhe në histori. Nga baza ushtarake e Kuçovës, i pari i qeverisë deklaroi se në 2019 pagat e ushtarakëve rriten mbi 19%. “Më në fund pas shumë vitesh lenie disi në hije për nga vlerësimi financiar do u bëjmë një rritje pagash për Forcat e Armatosura, pasi gjatë punës me draftin e buxhetit 2019 kemi mundur së bashku me ministren dhe falë këmbënguljes së saj të fitojmë debatin me Ministrinë e Financave.
19 % për FA dhe duke e shkallëzuar atë më tutje sipas niveleve është rritja më e madhe e pagave e bërë në historinë e Forcave të Armatosura dhe është një rritje e stërmerituar. E kanë bërë Shqipërinë krenare dhe opinionet e partnerëve tanë për misionet janë shumë të mira për njerëzit që kanë shkuar dhe kanë përfaqësuar Shqipërinë dhe ka qenë një surprizë për të gjithë”, nënvizoi kryeministri Edi Rama. /Rigels Seliman