Kryeministri Edi Rama i konsideron si tentativë për të ‘kërkuar shesh për përsheshin e LSI’, deklaratat e sotme të Presidentit Ilir Meta në lidhje me vendimin e Greqisë për shtrirjen 12 milje në Detin Jon.
Rama thotë se vetëm të paudhët si Saliu e si Iliri dhe ndjekësit e tyre me Lulin e me Monikën në krye, mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det.
“Ilir Meta mirëkuptuaka ndjeshmërinë e qytetarëve mbi vendimin e autoriteteve greke për të ushtruar të Drejtën Ndërkombëtare të Detit për Greqinë dhe pasojat e mundshme që mund të paskërka ky vendim për vendin tonë! Në fakt jo, Ilir Meta vazhdon kërkon shesh për përsheshin e LSI!
Vetëm të paudhët si Saliu e si Iliri dhe ndjekësit e tyre me Lulin e me Monikën në krye, mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det, ndërkohë që e vërteta është e qartë si drita e diellit: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje e prandaj do shkojnë në gjyq!
Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë! Ja kështu Like”, shkruan Rama në Twitter.
Presidenti Meta pasditen e sotme deklaroi se nuk është i informuar në lidhje me grupin negociator për marrëveshjen me detin me Greqinë që prej 2018 dhe për këtë i kërkon qeverisë që të respektojë nivelin hierarkik të të gjitha institucioneve sipas ligjit dhe Kushtetutës, ku përfshihet dhe Presidenca.
Meta në rolin e ‘mbrojtësit’ të Kushtetutës tha se nuk do të lejojë cenimin e interesave kombëtare nga askush, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.
Në Greqi ditën e Krishtlindjes është miratuar dekreti për zgjerimin me 12 milje në detin Jon. Ky vendim është marrë nga Këshilli i Lartë i Shteti. Mediat greke e interpretojnë këtë lëvizje si një mesazh drejtuar Turqisë. Dekreti përfshin hapësirën në zonën veriore të detit Jon, të ishujve të Jonit e deri në Kepin e Tenaro në Peloponez.
Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, është rënë dakord gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në Tiranë, dhe takimit që ai pati me kryeministrin shqiptar, që të shkohet në një gjykatë ndërkombëtare. /Shqiptarja.com