Kryeministri Edi Rama ka organizuar sot një pritje të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
“Presidenti sërish refuzoi të dekretojë ministrin e ri” – tha shefi i qeverisë para ambasadorëve!
Ai u bëri thirrje të vendosin kontaktet me ministrat e rinj.
“Idetë hegjemonike që qarkullojnë si re mbi kokat tona, dhe jo rastësisht kur ka përplasje interesash politike, nuk janë krijime të mendimit shqiptar.
Autorëve të tyre unë dua t’u kujtoj se të atashuarit ndaj territorit të shenjtë ne jemi krenarë dhe do të mbetemi të përkushtuar ndaj kombit tonë të madh që ishtrin rrënjët përtej kufijve të sotëm.
Shtrengatat e aktualitetit po marrin gjithnjë e më shumë forma të paparashikueshme, destruktive dhe irracionale. Megjithatë, Shqipëria një vend i vogël beson fuqishëm tek rruga e vlerave” – tha Rama ndër të tjera.
Ai u shpreh se këtë vit Shqipëria pret edhe ambasadorin e ri të SHBA-ve.
Rama falenderoi Ditmir Bushatin për shërbimin dinjitoz që i ka bërë Republikës së Shqipërisë.
“Më vjen keq që pasuesi i tij, një shqiptar nga Prishtina me një dituri të adhurueshme e ka nisur rrugëtimin e tij në një mënyrë të pazakonshme.
Balta dhe mllefi i injorantëve kanë bërë për të prezantimin më të rrejshëm publik, përpara se ai të hapë gojën si ministër. E kanë sulmuar për tre arsye.
Sepse është shumë i ri, nuk i përket botës së tyre të vjetër. Sepse është shumë i pastër. Sepse është nga Prishtina.” – tha Rama.
Kryeministri tha se Cakaj kurrë nuk është prononcuar për ndryshime kufijsh në Ballkan.
“Ajo është një e drejtë që i takon qeverisë sovrane të Kosovës. Dua ta bëj të qartë edhe një herë: Shqipëria inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të mbështetet nga SHBA dhe BE.
Të tjerat janë maskarallëk dhe fukarallëk politikanësh” – tha Rama.