Kryeministri Edi Rama vijon të jetë tepër i pakënaqur me punën e deputetëve dhe degëve të PS sa i takon zgjedhjeve të 25 prillit.
Janë më pak se 3 muaj nga data e votimit dhe të gjitha partitë po bëjnë kalkulimet e tyre të votave dhe teksa opozita duket optimiste për fitore, në kampin socialist kërkohet më shumë punë. Dje Rama ka pasur një takim për rreth një orë me shtabin elektoral, ku ka diskutuar me 12 drejtuesit politikë në qarqe për situatën në secilën zonë. Sipas burimeve, Rama ka deklaruar para koordinatorëve se sipas sondazheve të brendshme dhe të dhënave të mbledhura në terren, PS kuotohet te 70-71 mandate.
Kjo shifër është e papranueshme për shefin ekzekutiv, i cili ka kërkuar që të punohet më shumë në disa zona, sidomos ato veriore për të siguruar 4-5 mandate të tjera. Pra objektivi i socialistëve është që të sigurojnë 74-75 mandate deputeti. Mesazhet më të forta kanë qenë për Olta Xhaçkën dhe për Safet Gjicin. Kryeministri ka kërkuar që të gjithë koordinatorët që mbulojnë zonat e veriut të punojnë më shumë, ndërsa synimi është që të merret nga një mandat më shumë në Kukës dhe në Dibër.
Sa i takon Kukësit, PS synon që të marrë 2 mandate, pasi historikisht ka marrë një. Për këtë arsye është rritur kërkesa ndaj Gjicit. Ndërkohë në Dibër, në zgjedhjet e 2017 PS mori 2 mandate, 1 e mori LSI, 2 PD dhe një PDIU. Synimi është që në këtë qark të merren 3 ose 4 mandate deputeti nga socialistët.
Lista dhe shkrirja e LSI
Sipas burimeve, mbledhja është shoqëruar edhe me debate, pasi Rama ka qenë i pakënaqur me punën e disa prej koordinatorëve dhe deputetëve. Ai ka deklaruar se e ka krijuar idenë për listat e deputetëve, ndërsa e ka bërë të qartë se do të ketë përmbysje. Sipas tij, shumë deputetë aktualë nuk do të kandidojnë dot dhe ka kërkuar nga koordinatorët që t’ua bëjnë të qartë se java e fundit e janarit është vendimtare për ta.
Rama ka deklaruar se këtë javë do të shohë me detaje punën e tyre në terren dhe do të zyrtarizojë emrat që ikin dhe ata që rrinë. Por ai e ka bërë të qartë se një pjesë e madhe nuk kanë punuar si duhet në terren dhe për këtë arsye rrezikojnë largimin. Sipas informacioneve, janë rreth 30 emra që mund të mbeten jashtë listave, por gjithçka mbetet e hapur. Rama ka kërkuar më tepër angazhim në bazë, ndërsa ka kërkuar që fokusi të jetë më shumë te LSI sesa PD. Sipas tij, për shkak të situatës fushata do jetë e vaktë dhe nuk do të përcaktojë fituesin, prandaj duhet të hyjë në lojë matematika.
Rama e ka bërë të qartë se LSI lulëzon sot sepse ka marrë të pakënaqurit e PS dhe duhet të punohet që ata të kthehen. Nga ana tjetër mësohet se jo të gjithë që kanë kaluar me PS do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë ose të paktën në pjesën fituese. Sipas informacioneve, deri më tani vetëm 3 emra janë konfirmuar që do jenë pjesë e kandidatëve potencialë, pjesa tjetër do të shpërblehen me poste drejtorish apo pushteti vendor.
Paralajmërimi i Ballës
Lidhur me mbledhjen dha detaje Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla. Në një prononcim për mediat ai tha se listat e kandidatëve është drejt fundit dhe paralajmëroi se do të ketë shumë emra të rinj. “PS ka zhvilluar një proces shumëplanësh për vlerësimin e kandidaturave.
Kemi përmbyllur fushatën e deputetit që duam ku i kemi dhënë mundësinë profesionistëve të rinj për nga energjitë që të konkurrojnë në kuadër të një platforme. Kemi arritur në një grup përfaqësuesish shumë të mirë, dhe dua t’ju them që kjo çështje ka qenë një prej diskutimeve të sotme dhe jam i sigurt që në gjitha qarqet do kemi burra e gra, djem e vajza që ka ardhur nëpërmjet këtij procesi.
Kemi marrë një feedback pozitiv nga vlerësimi i deputetëve aktualë, mbi të cilën PS do të diskutojë edhe listën përfundimtare. Lista do jetë uniformë nga kreu i listës deri te i fundit. Do të jenë qytetarët ato që do të bëjnë renditjes dhe në shumë qarqe lista do të ndryshojë për shkak të preferencës së qytetarëve. Ne i kemi pothuajse gati, vazhdojmë të bëjmë konsultime për të pasur një listë sa më përfaqësuese. Është një proces që po ecën shumë mirë”, tha Balla.