Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer dje me akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta, sa i takon situatës për Gjykatën Kushtetuese. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku u miratua rezoluta kundër Metës, Rama u shpreh hapur se presidenti Meta ka frikë nga drejtësia, ndërsa theksoi se nuk ka luftë të qeverisë me presidentin e vendit, por, ky i fundit sipas tij, ka luftë me të gjithë, përfshirë dhe veten.
“Edhe njëherë tjetër, përplasja është jo mes nesh dhe Metës, por mes Metës dhe drejtësisë. Ne nuk kemi luftë me Metën, ai ka luftë me botën, me Europën, me Shqipërinë, me qeverinë e me veten. Le të vazhdojë ta bëjë atë luftë. Ne kemi detyrën që të shmangim të gjitha efektet negative që aktet e asaj lufte kanë mbi proceset tona, mbi proceset zgjedhore, mbi proceset e reformimit të institucioneve të drejtësisë dhe mbi çdo proces tjetër, ku ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi i vetëm dhe fuqiplotë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Njësoj si ata talebanët që e quajnë veten interpretuesit e vetëm dhe fuqiplotë të Librit të Shenjtë”, tha Rama.
Rama për Kushtetuesen
Por, akuzat e kryeministrit Rama ndaj Metës nuk u ndalën, ndërsa e cilësoi pozicionin e tanishëm të presidentit të vendit, si të humbur. Kryeministri përfshiu në bisedë edhe ndërkombëtarët, që sipas tij, sjelljet e Metës, e kanë vënë në siklet para tyre. “Jemi përballë si Kuvend i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer institucionin e Presidentit të Republikës në një frëngji prej ku sulmon nga të katër anët, duke qenë ne këtu, 100% , – jo 99%, por 100% , në të njëjtën linjë me SHBA-të dhe BE-në.
Natyrisht është e lehtë të kuptohet pse, si çdo herë tjetër, Meta nuk kursen as partnerët strategjikë dhe as dy aleatët e mëdhenj, të palëkundur dhe të pandryshueshëm, të Shqipërisë, SHBA-së dhe BE-së, duke na vënë të gjithëve në një pozitë jo-komode, për të thënë më të paktën dhe të turpshme, për ta thënë me të gjitha fjalët deri në fund, sepse insinuon haptas se këto përfaqësi të nderuara të shteteve, që janë qysh në ditën e parë të procesit të Reformës në Drejtësi promotorë dhe mbështetëse të kësaj reforme, akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp dhe pas kësaj besoj se nuk ka as nevojë të zgjatemi dhe të stër-zgjatemi, për të shpjeguar arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona”, u shpreh kryeministri.
Konsultimi me SHBA-BE
Nga ana tjetër, Rama tha se fokusi do të jetë tek drejtësia dhe jo tek presidenti, ndërsa bëri të ditur se për Kushtetuesen, është konsultuar me ndërkombëtarët. Sipas tij, sulmet e Metës ndaj SHBA-BE janë të turpshme. “Prandaj këtë herë, unë nuk do të merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë që është ende në ardhje dhe që ende kërkon shumë vullnet, shumë durim dhe shumë mbështetje nga ana jonë. Por për të gjithë ata që e ndjekin këtë episod të ri të historisë së vjetër të përplasjes së Ilir Metës me drejtësinë, dua të them se përpara sesa ne të vendosnin dhe të bënim atë që Kuvendi bëri, duke zgjedhur dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë të mirëqenë zgjedhjen e një anëtareje tjetër si rezultat i mospërmbushjes së detyrës për të zgjedhur në afatin e përcaktuar nga Presidenti i Republikës, ne jemi dakordësuar 100% me aleatët strategjikë dhe i jemi referuar 100% opinioneve të dhëna nga ekspertët e tyre, të cilët janë pjesë integrale e të gjithë procesit të reformës në drejtësi, ekspertët e EURALIUS-it dhe ekspertët e OPDAT-it”, sqaroi Rama.
Ornela Çelpica