Klanet në Partinë Socialiste dhe ambicia për pushtet duket kanë ndezur luftën brenda mazhorancës qeverisëse. Prej disa javësh në korridorët e politikës dhe jovetëm, flitet se në PS janë krijuar dy grupe, ku në njërin prej tyre bëjnë pjesë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa në krahun tjetër janë atashuar sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe ministrat Belinda Balluku e Arben Ahmetaj.
Për rrjedhojë këto grupime, kanë bërë që kryeministri Edi Rama të nis spastrime në radhët e administratës shtetërore. Këtë fundjavë kryeministri Rama ka shkarkuar Drejtorin e Postës Shqiptare, Ervin Bushati. Burime për gazetën “SOT”, bëjnë me dije se shkarkimi i ish-deputetit të Partisë Socialiste është bërë qysh të premte, ndërsa në vendin e tij është caktuar përkohësisht si e komanduar Anisa Kaltanji.
Ervin Bushati u zgjodh në krye të Postës Shqiptare në shtator të vitit të kaluar, pasi nuk arriti të fitonte mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, pavarësisht se ishte i renditur i treti në listën e PS-së në Tiranë.
Për shkak të rezultatit të marrë, ai dha dorëheqjen edhe si kryetar i Partisë Socialiste në kryeqytet. Por Rama i gjeti një punë atij, duke e vendosur kështu në krye të Postës Shqiptare, por vetëm për ta hequr disa muaj më vonë për arsye se ai është mbështetës i njërit prej klaneve të sipërcituara.
Megjithatë Bushati nuk është i vetmi që shkarkuar nga posti që mban në institucionin e Postës Shqiptare, pasi të njëjtin fati si ai kanë pasur edhe shumë drejtues të këtij institucioni, sikundër janë Drejtoresha e Departamentit Elidjana Çela, apo drejtor i Filialit Tiranë Shpati Kolgega dhe drejtor i Shpërndarjes Ergest Manaj.
Në Kongresin e PS “kurban” disa koka ministrash
Por furtunë në administratë duket se nuk do të jetë e vetmja, pasi mësohet se edhe qeveria do të preket nga ndryshimet. Mësohet se shefi i ekzekutivit është i pakënaqur me punën e disa ministrave të kabinetit qeveritar që drejton, ndërsa mësohet se këto ndryshime ai do t’i bëjë publike gjatë punimeve të Kongresit të partisë Socialiste që do të mbahet më 9 prill.
Mësohet se janë disa ministra për të cilët Rama nuk gëzon më respekt. Largimin e dy ministrave sikundër është Frida Krifca e Bujqësisë e paralajmëroi pak ditë më parë edhe këshllitari i Edi Ramës, baton haxhiu, ndërkohë që për shkak të gafave dhe dështimit për menaxhimin e krizës së çmimeve dhe jovetëm që ka mbërthyer së fundmi vendin tonë, mësohet se do të këtë edhe disa preje kokash nga kryeministrit.
Pra në total janë diku tek 4-5 ministra që rrezikojnë të shkarkohen, për shkak të performancës së dobët dhe si pasojë e lobimeve të klaneve të ndryshme brenda mazhorancës tek i pari i qeverisë. Sidoqoftë mbetet të shihet në ditët në vijm se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Më herët kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit shprehu mbështetjen e tij ndaj reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se cilido që do të shkojë para drejtësisë nga radhët e ekzekutivit do të duhet të mbrohet i vetëm.
Sipas Ramës, ministrat dhe drejtorët që kanë llogari të hapura me ligjin nuk duhet ta bëjnë më gjumin e qetë. “Kushdo që shkel ligjin dhe është arrogant do të shkarkohet. As qeveria dhe asnjë nga ne, 74 të mandatuarit nuk do përdorë mandatin për të mbrojtur këdo qoftë nga akuzat e drejtësisë”, deklaroi Rama.