Kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare tha se nuk do të ketë më punësime selektive në administratë.
“Ky është një takim i pazakontë, në një kohë të pazakontë të vitit për mbledhje partie, në një moment të pazakontë për këtë familje e cila ka përgjegjësinë të kujdeset për shtëpinë e madhe të shqiptarëve, Shqipërinë.
Por e pazakontë është edhe mundësia që na ka dhënë në këtë fundvit protesta e studentëve. Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë, në emër të një jete më të mirë universitare dhe në emër të besimit tek unë, tek ne.
Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime “Turp, turp”, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi për ta mundësia e vetme për ta. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha të kthej faqen tjetër”, tha Rama.