Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS, nuk la pa kritikuar opozitën.
Megjithatë pavarësisht kundërshtimeve, ai shtoi se qëllimi kryesor i PS është të çojë Shqipërinë përpara drejt rrugës europiane.
“Disa thonë se ne fitojmë se përdorim pushtetin për të marr votat, dhe që ne i blejmë votat dhe kemi fituar se nuk kemi pasur alternativë dhe se ata vetë ofrojnë alternativë, disa thonë se ne fitojmë se Shqipëria është diktaturë dhe se ndërkombëtarët mbyllin sytë përballë diktaturës në të cilën jemi.
Dhe të tjera budallallëqe. Por, të gjithë këta bashkohen nga rrugë të ndryshme në pikën se në Shqipëri nuk ka zgjedhje derisa ato i fitojmë ne, ata bashkë janë njësoj sepse i përkasin të njëjtës rrugë të vjetër dhe mendësi të ndryshkur ballkanike, madje otomane.
Çdo njeri i arsyeshëm që sheh me sytë e vet dhe dëgjon me veshët e vet e kupton kollaj se ne fitojmë dhe do të fitojmë përsëri. Ndërsa kundërshtarët qofshin të rinj apo të vjetër humbin dhe do të humbin.
Për kundërshtarët tanë që nuk kanë asnjë ide dhe asnjë alternativë për këtë vend, prodhimi dhe shpërndarja e sa më shumë helmi duke shfrytëzuar cdo kanal dezinformimi është e vetmja alternativë e mbetur. Në na udhëheq ambicia për Shqipërinë, ata udhëhiqen nga urrejtja ndaj nesh.
As duan dhe as nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. Unë jam gjithë i pakënaqur me punët e mira që bëjmë. Dua që të shohim gjithnjë se sa shumë janë punët për t’u bërë. Ata janë të lumtur kur i vënë zjarrin parlamentit.
Por të qeverisësh Shqipërinë që duhet të ngjitet në majën e re të 2030 për të vendosur flamurin shqiptar në radhën e shteteve europiane dhe të kesh të bësh me folësa qesharakë që hedhin shqelma si turma pa kokë të tifozë kur dalin të dehur pas një humbje, do të thotë të jetosh përditë me rrezikun fatal. Deri më sot ja kemi dalë ta shmangim këtë rrezik”, tha ai.