Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të diel, me një video ku jep një lajm të mirë për një familje të izoluar në fshatin Vajzë të Vlorës.
Në të shihet teksa kreu i qeverisë pret familjen e Niko Ahmetit, të cilës i dorëzon shtëpinë e rindërtuar nga e para.
Vetëm para pak javësh ai u ndal në këtë banesë, ku u njoh me kushtet ekstreme të jetesës, ku familja ishte pa energji elektrike, për shkak të distancës së madhe nga zonat e tjera të banuara.
“Me dritën e ndezur të së ardhmes për familjen e Niko Ahmetit, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama.
Në video Kryeministri i çon në shtëpinë e re, e përshtatur me të gjitha kushtet, ndërsa mësohet se tre djemtë e familjes kanë filluar kurse profesionale, njëri për elektricist, tjetri për hidraulik dhe tjetri berber.
Ndër të tjera Rama u thotë se iu është bërë një linjë e dedikuar energjie, për shkak të distancës së madhe nga zonat e banuara. Më poshtë gjeni videon e plotë me ndryshimet e pësuara në banesë. /a.y/noa.al