Kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar sot takimin përmbyllës elektoral në qytetin e Vlorës. Shefi i selisë rozë zgjodhi të hapë ndryshe fjalimin, jo duke folur për kundërshtarin politik, por duke kritikuar kryebashkiakun aktual Dritan Leli duke e cilësuar bashkinë e Vlorës si më problematiken.
Për Ramën, Vlorës i duhet një kryebashkiak që rri pa gjumë, ndërsa premtoi se do ta kthejnë qytetin në kampione të turizmit në Ballkan.
“Vlorës i duhet një kryetar bashkie që fle i fundit. Vlora është një nga lojtarët kryesorë të Shqipërisë që duam ta bëjmë kampione të Ballkanit në turizëm. Dhe kampionë të turizmit në Ballkan nuk bëhemi dot nëse nuk i lëmë turistët pa fjalë kur vijnë në Vlorë dhe nuk gjejnë një copë letër në tokë.
Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie i cili matet 7 herë përpara se të firmosi një leje ndërtimi si ajo që kam përballë unë tani. Dhe pasi matet 7 herë, herën e 7 pyet 7 të tjerë dhe pastaj merr vendime që nuk zhbëhen më.
Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie që të ketë respekt për çdo socialist në radhën më të parë. Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie që socialistët t’i dojë pa kushte ndërsa demokratët, qytetarët demokratë, t’i respektojë pa kushte”- tha Rama.