Në orën 17:00 Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancën e posaçme për të votuar ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Fillimisht seanca ishte parashikuar për në orën 18:00, por duke pasur parasysh faktin që në 20:00 nis protesta e 10-të kombëtare e opozitës, shumica e afroi me 60 minuta.Komisioni do ketë në përbërje të tij 11 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re ku 2 prej tyre janë nga Grupi Parlamentar i Partive të Djathta.
Grupi i PS-së në mbledhjen e sotme vendosi që në krye të komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit të jetë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ndërsa anëtarë nga shumica do të jenë; Vasilika Hysi, Klotilda Ferhati, Bashkim Fino dhe Alket Hyseni. Ndërkohë dy nga katër deputetët e opozitës që do të jenë komision janë Alban Zeneli dhe Halit Valteri nga grupi parlamentar demokrat që drejtohet nga Rudina Hajdari. Rudina Hajdari pak ditë më parë kërkoi shtyrjen e ngritjes së komisionit deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese për të shmangur pështjellimin e krizës politike, që më shumë e shikon si konflikt personal Rama-Meta. “Nuk është momenti për hetimin e Metës. Nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të vërtetohet në një moment më normal” tha ajo. Ndërkohë që në seancën e së enjtes, deputetët Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni e kushtëzuan votën me reformën zgjedhore.
Shumica e bazon nismën për shkarkimin e Metës te vendimi për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, dekret që sipas PS-së është jo Kushtetues. Në fund të të gjitha procedurave parlamentare, edhe nëse kërkesa miratohet në Kuvend me 94 vota, do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të thotë fjalën e fundit për kreun e shtetit.