Nga Alfred Peza
Pak ditë përpara 30 Qershorit të këtij viti, i ftuar në një televizion sëbashku me një eksponent të PD rreth situatës politike në vend, spikerja e lajmeve në presionin e minutave që po fluturonin na u drejtua pak e nervozuar: Dhe tani pyetja e fundit për të dy. Por, ju lutem dua nga një përgjigje sa më shkurt.
Çfarë kërkon opozita që të hyjë në zgjedhje,- pyeti ajo të ftuarin tjetër: Të iki Edi Rama,- tha ai. Po ju, u kthye ajo shpejt e shpejt nga unë: Të rrijë Luli,- më erdhi aty për aty. Në banak dhe pas kamerave, plasi e qeshura dhe disi e hutuar nga përgjigja, i harroi sekondat dhe më pyeti: Pse? Sepse sa më gjatë që të rrijë Luli në krye të opozitës, aq më të sigurtë e ka kjo mazhorancë që do të qëndrojë gjithnjë e më gjatë në pushtet,- ia ktheva.
Ky moment mu kujtua ndërsa isha mbrëmë në stadiumin “Air Albania”, për të ndjekur nga karshija ceremoninë e inaugurimit dhe ndeshjen me kampionët e botës në futboll. Ndërsa gjithkush po mundohej që të fotografonte e filmonte gjithçka, nga tribuna pas portës veriore nisi fillimisht si një zhurmë koresh të rrëmujshme e më pas pak më qartë, thirrja “Rama ik”. E cila u shpërnda për disa sekonda, edhe në anët e tjera të stadiumit. Më pas një kor që u ndoq nga shumë të tjerë në stadium vijoi: “Shqipri. Shqipri. Shqipriiii…” “Ta ta ta taaa…!”
Ata që ndodheshin rreth e rrotull meje i përcollën këto çaste me sportivitetin dhe shpërqëndrimin e gjithkujt që kishte ardhur në stadium, për qejfin e vet. Më së shumti, për të fiksuar një kujtim personal të rrallë, në raport me një nga momentet më të veçanta të historisë së futbollit shqiptar.
Përgjatë 90 minutave të tjera askush nuk e kishte mendjen tek ajo thirrje, për më tepër që një pjesë jona kishte edhe probleme me valët e internetit. Por vetëm pasi dolëm jashtë e u nisëm të riktheheshim nëpër shtëpi, kuptova se ajo thirrje “Rama ik” nuk paskëshkërka qenë asfare një gjë e rastësishme mes asaj rrëmuje sportive. Por, me sa duket, ato çaste kishin qenë i vetmi skenar politik, i paramenduar dhe i orkestruar. Një skenar tipik nga ato që në 30 vjet, kanë zbatuar vetëm filozofinë e “ngrirjes së buzëqeshjes në buzë” ndaj kujtdo që ka bërë diçka pozitive në Shqipëri.
E kanë treguar me mbikalimin tek “Zogu i Zi” derisa e rrafshuan dhe hodhën në gropën e zezë, paratë e taksapaguesve shqiptarë. E kanë treguar më pas edhe me këndin e lojrave për fëmijë tek Liqeni Artificial. Me projektin e “Air Albania” vetë. Me projektin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Me projektin e Unazës së Re dhe Bulevardit të ri tek ish Stacioni i Trenit në Tiranë. E kështu me radhë, me çdo projekt tjetër zhvillimi, transformimi e modernizimi të Shqipërisë, me anë të një revolucioni të panjohur më parë estetik dhe urban zhvillimi. Një revolucion që ka nisur me kantieret e rikthimit në identitet, vazhdoi me Rilindjen urbane të pothuajse të gjitha qendrave të qyteteve të Shqipërisë dhe tani me projektin e 100 fshatrave. Shqipëria ka sot vërtetë 1001 e një halle për të zgjidhur e adresuar, por mos harrojmë që po konsiderohet çdo ditë e më shumë nga mediat më presitgjoze, si një nga destinacionet më interesante të turizmit jo vetëm në rajonin tonë.
Ashtu si edhe mbrëmë, kam qenë prezent në Shkodër, në inaugurimin e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër. Edhe aty, do të gjendej një kor që diku, të përcillte një jehonë politike, në vend të koreve të gëzueshme sportive për një ëndërr brezash të bërë realitet. Një projekt që e bëri shumë shpejt qytetin verior të vrarë nga politika e tranzicionit, një metropol të futbollit kuqezi, ku erdhën disa nga ekipet më në emër të futbollit europian e botëror, për tu përballur me ekipet përfaqësuese të Shqipërisë dhe Kosovës.
E ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët po fitojnë pa u ndalur disa projekte zhvillimi që i kanë zili edhe vendet fqinjë, transfromimi rrënjësor dhe zhvillimi i pamenduar deri dje, duket se po i errëson sytë “armiqve” politikë. Të cilët vazhdojnë të zbatojnë në Shqipëri, filozofinë e vjetër që na ka lënë historikisht në mjerim dhe ndër popujt më të varfër të Europës: Unë nuk bëj kurrë asgjë vetë. Por ama do bëj gjithçka, për të të mos lënë ty, që ti të bësh ndonjë gjë të mirë. Sepse ajo e mira që ti bën, është armiku im më i madh. Eshtë vdekja ime politike. Sepse nëpërmjet veprës tënde të mirë, të gjithë do të shohin aty, monumentin më të madh të paaftësisë sime totale për të të konkuruar ty, nëpërmjet projekteve, programeve dhe veprave të reja të zhvillimit.
Eshtë një histori që përsëritet e përsëritet pafundësisht kjo e mbrëmshmja. Ajo ngjan si dy pika parfumi, me historinë e rrëfyer nga Eqrem beu në librin e kujtimeve të tij, për Vlorën e fund shekullit XIX. Babai i tij Syrja beu nën shembullin e Europës, kërkoi që të ndërtonte në Shqipërinë otomane, fermat e para moderne. Por, ata që rrinin gjithë ditën duke bërë intriga nëpër mejhanet dhe kafenetë e qytetit, e çuan helmin e tyre deri tek oborri i Sulltanit. Ai urdhëroi Turhan Pashën në Janinë, që të shkonte e ta arrestonte beun e pasur e atdhetar të Vlorës për komplot kundër Portës së Lartë, me akuzën se po realizonte projektin e shpalljes së vetes, Mbret të Shqipërisë.
Fundi i kësaj historie, ishte më shumë se tragjike, mbi të gjitha komike. Pasi shkuan tek anijet në skelë ku thuhej se fshiheshin armët e tradhëtisë së lartë, u pa se ato ishin mbushur me… kazma, lopata, ujëhedhësa, kepa, shata dhe zorrë uji për vaditje. Edhe pas kësaj, askush nuk u skuq. Askush nuk kërkoi falje. Sepse askënd nuk e vrau ndërgjegja. Pasi e gjitha ishte një kulturë jetese dhe një mënyrë për të luftuar armikun e tij publik, që po e mundte dembelizmin e tyre të ububujshëm, me punë të mëdha dhe vepra zhvillimi e modernizimi.
Po kalojnë gati 150 vjet nga kjo ngjarje e vërtetë dhe shumë ujëra kanë rrjedhur nga atëherë. Kohët dhe emrat e aktorëve të historisë kanë ndryshuar, por jo mënyra e sjelljes dhe qasja e tyre ndaj kundërshtarëve. Ndaj edhe sot vërtetë Luli, Mona, Doktori e Likja nuk na ndërtuan ndonjë gjë më të mirë se “Air Albania” këto 30 vjet. Por, ama gjithmonë do të gjejndet një grup njerëzish, të gatshëm që të gërthasin për ta në stadium: “Rama ik!”.
Kaq mjafton që ata të eksitohen në kafet e dikurshme dhe në rrjetet e sotme sociale. Për të na e shitur të gjithën këtë, si një kryeprovë se shqiptarët janë gati që të bëjnë gjithçka, vetëm e vetëm që ata të na rrijnë në skenën tonë të madhe politike. Duke harruar se pikërisht këtu, fshihet edhe sekreti i parrëfyer, i jetëgjatësisë së Edi Ramës në pushtet!