Nga Kuvendi kryeministri Edi Rama foli lidhur me emrat e 2 ministreve dhe një ish ministreje në listën e publikuar nga hakerat iranianë duke i cilësuar si montazhe.
Nisur nga një replikë me deputetin e PD-së Ferdinand Xhaferraj dhe akuzat e opozitës me sulmet kibernetike Rama iu përgjigj duke thënë se asnjë sulm nga hakerat iranianë nuk ka mundur të depërtojë në sisteme.
Duke iu përgjigjur edhe akuzave të përfshirjes së dy ministrave dhe ish- ministres së mbrojtjes Mimi Kodheli, Rama tha se të gjitha këto janë një vorbull, politikanësh e gazetarësh prodhojnë një tubacion llumi që çdo haker, mund të bëjë hajgare. Kryeministri Rama gjithashtu tha se fotot e publikuara nuk janë nga sistemi MEMEX dhe se të gjitha fotot e shpërndara të ministrve të përfshirë janë fotomontime.
Kreu i qeverisë fajësoi opozitën se kontribuojnë në dezinforimime të publikut duke ngritur çështje pa vlerë dhe hipotetike për diskutim. “Dhe e fundit që kam, mos bëhemi qesharakë që për çdo gjë që ndodh, çdo gjëje që ndodh, i japim një unikalitet sikur kjo ndodh këtu. Sot që flasim, prej disa kohësh në shtetin fqinj, në Maqedoninë e Veriut , ka një agjenci të tërë pagesash të ministrisë së Bujqësisë që nuk punon për shkak se është marrë peng nga hakerat. Sulmet kibernetike janë një e përditshme.
Ne jemi marrë me sulmet kibernetike të vazhdueshme dhe s’kemi pasur asnjëherë asnjë problem. Ky është një sulm i një niveli shumë të lartë, i një agresiviteti shumë të lartë dhe nuk e ka realizuar qëllimin e tij. Tani, mbase ju do donit ta realizonte qëllimin, po nuk e ka realizuar.
Mbase ju do donit realisht të kishte sjellë një hata po nuk e ka sjellë një, mbase ju do donit të na kishte gjetur tërësisht të papërgatitur, po nuk na ka gjetur. Kështu që mos u kuturisni në konkluzione që janë qesharake dhe po ju them prapë, që ai sulm nuk e ka realizuar qëllimin, është shumë e thjeshtë. Bëjnë “hajgare” hakerat me ju që ngriheni në këmbë me fotomontazhe”, tha ai.