Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur thirrjeve të protestuesve poshtë zyrës së tij, të cilët i kërkojnë të dalë para tyre e të flasë. Rama tha se do të ishte humbje kohe për të dhe e pavlefshme për protestuesit që të flasë aty ku nuk do të dëgjohet.
“Unë jam i gatshëm të dëgjoj dhe të dëgjohem, por të shahem e të përballem me akuza të pavërteta, është humbje kohe për mua dhe e pavlefshme për ju.
Mbaj një fjalim aty ku dëgjohem, jo aty ku nuk më lejohet të flas. Ju vazhdoni me rrëzimin e komunizmit ne do vazhdojmë në krah të popullit, të atyre që nuk kanë X5 për të bllokuar rrugët”, tha Rama.
Ndër të tjera, ai në mesazhin drejtuar qytetarëve është shprehur se brenda 48 orëve do ketë një përgjigje konkrete për rritjen e çmimit të karburanteve.
“Brenda 48 orëve do t’ju themi konkretisht se çfarë do të bëjmë dhe se si do t’ja bëjmë me këtë situatë. Kush thotë që këta jnaë në një tjetër botë, flet përçart, unë nuk fle, edhe kur të gjithë ata që na japin recetat e gatshme flenë, unë jo.
Aq shumë shqiptarë, aq shumë kam në detaje realitetin e njerëzve sa askush nuk më jep dot leksione, unë jetoj me njerëzit”, u shpreh Rama.