Kryeministri Edi Rama, ndërsa ka qenë në Urën Vajgurore për fushatën zgjedhore, është ndalur edhe tek çështja e përgjimeve.
“Lidhur me ato përgjimet e neveritshme, nga njëra anë askush nuk mund të cohet dhe të thotë se ne kemi hapur gojën, lere te kemi ngritur dorën, për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi me këdo.
Askush nuk na ka parë të marrë në mbrojtje këdo qoftë, por ia kemi lënë drejtësisë të vendosë, ndërkohë që në aspektin moral ata që na akuzojnë dhe helmojnë cdo ditë gjakun e këtij mileti, janë ata të cilët, drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve Arben Sefgjini e kishin të dënuar me arrest shtëpie, dhe e conin përditë dhe e ulnin si të pafajshëm, dhe drejtonte Tatimet me pranga në duar nga shtëpia.
Ne gjithnjë e kemi bërë të qartë ndarjen, drejtësia të bëjë punën në vet, e ndaj do ta çojmë deri në fund atë reformë në drejtësi që ata nuk e duan”, tha Rama.
“Ata duan të bëjnë gjyqe publike si në kohën e luftës, pa prova dhe pa hetime. Ai që i udhëheq këto “gjyqe publike” është një i akuzuar kur ishte ministër, sot është nën hetim jo vetëm në vendin tonë, por në SHBA, për 1 milion dollarë që s’dihet nga erdhën, dhe del e kërkon revolucion real..
Luli, Luli, se nuk flas për atë tjetrin, plakun e marrë, që Lulin e ka një nga tespiet e veta, por edhe tespiet e plakut Sali do të shpërbehen më 30 qershor.
Por si tespijet e plakut Mere, ashtu do t’i shpërbëhen edhe tespihet e plakut Sali”, u shpreh kryeministri.
“Po dëgjoja kryeprokuroren, më shumë vonesë për fat të keq, por ka shpjeguar ekzaktësisht arsyen pse këto zbulime të mëdha, që janë abuzim i madh me ligjin dhe nxjerrje e sekretit hetimorë për tu përdorur për politikë dhe kundër Shqipërisë, ndërkohë që duhej të kishte përfunduar hetimi me kohë, dëgjoni kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar këto zbulime, që ata i kanë çuar te partia për t’i përdorur, shantazhuar këtë qeveri, sepse ata i bashkojnë shumë gjëra, por edhe lufta kundër reformës në drejtësi.
Prokurorë që tmerrohen nga vetingu dhe politikanë që tmerrohen nga gjyqe që i presin nga ata që do kenë kaluar vetingun, do t’i thërrasin para drejtësisë, sepse nuk harrohen të gjitha ato që kanë ndodhur”, tha më tej ai.