Kryeministri Rama ka folur nga SHBA për vendimin e partive kryesore gjermane për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, përmes plotësimit të disa kushteve që lidhen me reformën në gjyqësor dhe reformën zgjedhore. Në një intervistë nga SHBA, Rama tha se kushtet i bëjnë mirë dhe janë në interes të vendit pasi negociatat nuk janë që të marrësh Shqipërinë dhe ta çosh diku tjetër fizikisht, por ta bësh atë pjesë të Europës.
“Së pari, është qeveria gjermane që ka marrë nga shumica në Bundestag një dritë jeshile për të shkuar në KE me një “po” për çeljen e negociatave. Çelja e negociatave do të thotë fillim i një procesi aspak të thjesht dhe të gjatë me përmbushje kushtesh.
Janë kushte të cilat i bëjnë mirë dhe i duhen vendit. Nuk është në interesin e drejtpërdrejt të Bundestagut që të ketë një proces ku të përmbysh ato kushte. Negociatat nuk janë që ta marrësh Shqipërinë dhe ta çosh diku tjetër fizikisht por ta bësh pjesë të Europës”, tha Rama.
Më tej, kryeministri shtoi se ka qenë kancelarja gjermane Angela Merkel ajo që ka thyer “barrierat” në Bundestag për negociatat e Shqipërisë.
“I jam shumë mirënjohës kancelares e cila ka qenë forca kryesore në thyerjen e kësaj barriere që ishte në bundestag. U jam shumë mirënjohës dhe atyre që mbështetën Shqipërinë në Bundestag. Mirëkuptoj dhe ata që votuan kundër sepse ka qenë një debat i fortë. Do tju mbushim mendjen dhe atyre”, u shpreh kryeministri Edi Rama nga SHBA.