Kryeministri Edi Rama do ta mbajë postin e ministrit të Jashtëm, deri në zgjidhjen e ngërçit të krjijuar nga bllokimi i Ilir Metës.
Rama, njësoj si Aleksis Cipras në Greqi, do të mbajë edhe postin e ministrit të Jashtëm, deri sa Gjykata Kushtetuese (e cila për momentin është e bllokuar), të shprehet për ngërçin e krijuar mes tij dhe presidentit lidhur me çështjen e mosdekretimit të shkarkimit të Ditmir Bushatit dhe emërimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.
Lajmi konfirmohet nga vetë Edi Rama:
“Presidenti s’e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues.
Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese.
Deri atë ditë që vjen shumë shpejt,do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të presidentit”, shkruan Rama.
Ilir Meta kërkon të fusë në krizë kushtetuese vendin, jo vetëm duke mos dekretuar emërimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, por duke mos pranuar as shkarkimin e Ditmir Bushatit.
Për mos-shkarkimin e këtij të fundit, një skandal mbi skandal, Ilir Meta nuk ka dhënë ende asnjë arsye.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, ishin dy versione në tryezë për të zgjidhur çështjen e ministrit të ri të Jashtëm, pas mosdekretimit të Gent Cakajt nga Meta.
Rama, ose do të çonte sërish emrin e Gent Cakajt, ose vet ai do të propozohej në postin e ministrit të Jashtëm.
Ndërsa për ta zgjidhur ngërçin Kryeministri-Presidencë, PS-ja do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shprehet vetëm kur të mund të bëhet funksionale, çështje që do të marrë kohë.
E derisa kjo e fundit të shprehet, Rama do ta mbajë vet përkohësisht postin e ministrit të Jashtëm, e njëjta formulë si në Greqi me kryeministrin Alexis Tsipras, pas largimit të Nikoz Kotzias si ministër i Jashtëm.
PS ka përjashtuar votimin e Cakajt drejtpërdrejt në Parlament, pasi nuk duan t’i përgjigjen shkeljes me shkelje.
Po ashtu, socialistët do t’i votojnë në bllok ndryshimet në qeveri, të gjithë ministrat e rinj.