Në një dalje live në Facebook, kryeministri Rama u është drejtuar studentëve duke u kërkuar bashkëpunim për të ndryshuar rrënjësisht sistemin arsimor.
“Na duhet një lëvizje e fortë dhe e bashkuar. As mos u çudisni se po përpiqem t’u bëj magji protestuesve që të shpërndahen. Unë nuk dua që të shpërndahen dhe të marrin një fitore momental.
Kjo e imja nuk është taktikë, por shprehje e hapur e një frustrimi të gjatë në sistemin e universiteteve, dhe pikërisht tani duhet një strategji e përbashkët student-qeveri, një bashkëpunim i domosdoshëm. Jo zgjidhje brenda qerthullit vicioz.
Duhet të bashkohemi kundër korrupsionit, kulturës së falsifikimit dhe keqadministrimit të universiteteve. Pa qeverinë nuk e bëjnë dot studentët sepse nuk kanë autoritet, qeveria nuk e bën dot pa studentët.
Prandaj kemi arritur në këtë pikë. Kuptohemi mirë, studentët nuk janë pa të meta dhe qeveria nuk është pa kusure. Mua nuk më shkon ndër mend që qeveria ta kalojë këtë moment me lehtësi me tarifa më të ulëta, e t’i bëjë naftën kalit protestues.
Për mua është gjëja më e lehtë duke bërë një manovër taktike, duke realizuar kërkesat. Studentët duhet të flasin nëpërmjet një përfaqësie, askund nuk ndodh që qeveria t’i zgjidhë problemet nga televizori.
O bashkë sot dhe për nesër, o të ndarë sot edhe nesër dhe pastaj ju rrofshin tarifat më të ulëta apo konviktet më të ngrohta. Ju pres nesër live, po këtu në orën 11 paradite, edhe në darkë po të doni, që të gjithë pa dallime, edhe për atë punën e ngelësave i kam ruajtur nja dy fjalë për t’i thënë po m’u dha mundësia”, është shprehur Edi Rama.