Kryeministri Edi Rama, i ka uruar ditëlindjen akademikut dhe profesorit të njohur Rexhep Qosja.
Teksa ka publikuar në Facebook një reportazh rreth kolosit të letrave shqipe, Rama e cilëson profesorin e njohur si “heroin e mendimit shqiptar”.
“Përulësisht i uroj edhe 100 një heroi të mendimit shqiptar, Profesor Rexhep Qoses”, shkruan Rama.
Profesor Rexhep Qosja, feston sot 85 vjetorin e lindjes, ndërsa ndër vite, vlerësohet dhe nderohet për kontributin që i ka dhënë letërsisë shqipe.
Kush është Rexhep Qosja?
Rexhep Qosja lindi më 25.6.1936 në Vuthaj. Ka kryer studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit. Është doktoruar me temën “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”.
Ka qenë profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.
Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.
Merret me prozë – tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Europë.
Shkrimet e tij publicistike të botuara në shtypin kroat e slloven kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1981, shënojnë fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë.
Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë.
Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë.
Në vitin 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e veprave të tij në 29 vëllime.