Djegia e mandateve të opozitës ka ngjallur reagime të shumta.
Ish-kandidati për deputet i LSI-së, Ralf Gjoni shprehet kundër bojkotit të opozitës përmes dorëzimit të mandateve, duke e quajtur një precedent të rrezikshëm për vendin.
Gjoni tha në emisionin “360 Gradë” në Ora News, se ndërkombëtarët shqetësohen pasi ka hije për të destabilizuar Shqipërinë në një moment të rëndësishëm si diskutimi i kufirit Kosovë-Serbi dhe ngritja e SPAK.
“Ku është problemi këtu, për mua është precedenti. Edhe në kohën kur Partia Socialiste ishte në opozitë, kishte përplasje të forta, akuza të rënda, kulminoi me katër të vrarë në protestë. Mbaj mend edhe në atë kohë asnjë ndërkombëtar nuk e mbështeti bojkotin. Pati edhe nga Partia Socialiste zyrtarë të lartë pro bojkotit. Precedenti është shumë i rrezikshëm për të ardhmen në Shqipëri. E zëmë se ra qeveria, shkojmë në një qeveri teknike, nuk është ndonjë gjë e madhe. Shkojmë në zgjedhje të parakohshme, e zëmë se fitojnë partitë opozitare sot, çfarë ai që humbet do prishë lojën?!
Unë po të shpjegoj pse ndërkombëtarët e kanë të pamundur të pranojnë një precedent kaq të rëndësishëm. Përveç kësaj kjo protestë shoqërohet me thirrje antikushtetuese dhe me hije destabilizimi për vendin, dhe ky është shqetësimi i ndërkombëtarëve, në një moment kur po diskutohet kufiri i Kosovës me Serbinë, ngritja e SPAK dhe zgjedhjet vendore”, u shpreh Gjoni.