Me cilët janë ?!!!
Shkruan Bedri Islami
Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë natyrisht që është një lajm pozitiv. Edhe nëse më tej, në maj, njëri nga shtetet europiane do të ishte kundër, kjo nuk e zbeh dhe as nuk e ul ndjeshmërinë pozitive të këtij akti , që në fakt, është shenjë besdimi ndaj qeverisjes së vendit, por edhe ndaj ndryshimeve pozitive që duhet të ndodhin.
Më habit, edhe pse e pritur, qëndrimi i opozitës dhe i disa analistëve pranë saj.
Me cilët janë?
Një dëshpërim i habitshëm i ka pllakosur, sikur të bëhej fjalë për mos çeljen e negociatave dhe jo të për këtë rekomandim pozitiv.
Një cikël politikanësh, që nga Vasili, i shquar për “mendjempehtësi” e deri tek analistët pëdëistë, të pranishëm në zezimin e gjithçkaje, janë sterrosur, sikur të ishte fjala për një gjëmë.
Ndjellin , me gjithë energjinë negative mos miratimin e këtij rekomandimi dhe e presin atë, sikur të ishte fjala për një shtet hasëm, ta zëmë shtetin serb, por për këtë , disa prej tyre, do të ishin gëzuar më shumë se për vendin e tyre.
Në deklaratat e një pas njshme, qoftë lësëiste e qoftë pëdëiste krrakitet zëshëm , duke turfulluar kundër Bashkimit Europian, Komisionit rekomandues, figurave të njohura të politikës europiane, a thua se të gjithë këto janë fajtorë që sot opozita është pa kauzë, pa mendim dhe , jo rrallë, edhe kundër aspiratave të popullit të tyre.
Shpresa dashakeqëse se, edhe kësaj here, nuk do të kishte rekomandim pozitiv dhe se, pas kësaj do të vinin në pushtet, tashmë është zhgënjyese.
Të nisur nga parimi se, ” e keqja e kundërshtarit tim, është e mira ime” as nuk e kanë menduar dhe as nuk e mendojnë se pas kësaj është vendi i tyre, janë njerëzit për të cilët përbetohen kur mendojnë se përmes tyre pshteti është afër dhe i harrojnë kur e dinë se pushteti është larg.
Me cilët jeni? Edhe sikur qeveria Rama do të kishte bërë të zezat e të zezave, vendi është mbi qeverinë e tij, është edhe mbi ju.
Ka një shkak tjetër, edhe ky madhor: rekomandimi pa kushte presupzon avancimin e reformës në drejtësi. Kjo do të thotë se do të kemi një drejtësi ndryshe. Do të thotë se shumë prej tyre mund të jenë objekt i kësaj drejtësie dhe se, pas kësaj, ata do të jenë një hiç ose diku tjetër.
Nuk mund të jesh pjesë e Europës pa dënuar krimin. Një grua deputete, më duket e mesazheve erotike, shpejtoi të shpallë frikën e opozitës, duke thënë se, lufta kundër krimit ka të bëjë vetëm me qeverinë e sotme, jo me të shkuarën.
Me cilët jeni njerëz?
Ky është vendi juaj, ai vend që ju ka bërë të pasur pa e merituar, por duke e zhvatur.
Ju që përbetoheni për Europën dhe intgrimin, që bridhni nëpër kancelaritë e ndrysahme duke marrë me vete një strajcë me gurë, që kur e shihni se nuk ia dilni të gjakosni vendin tuaj, merrni pozën e përkrahësit, thoni të drejtën, me cilët jeni.
Nëse ky vend synon të shkojë drejt Europës, ju drejt kujt shkoni.
Prandaj është i qetë në qeverisjen e tij Edi rama : ai e di se me ju ballas do të qeverisë edhe shumë vite të tjera, edhe përmes gabimeve të tij.
Me cilët jeni?