Qytetarët shqiptarë do të paguajnë taksat njëherë në vit, njësoj siç është modeli i tatimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të Bashkimit Europian.
Euronews ka siguruar projektligjin që po punon ministria e Financave dhe Ekonomisë për shtrirjen e tatimit progresiv në të gjitha fushat ku qytetarët realizojnë të ardhura.
Nëse sot tatimi mbi pagën është në shkallën 0,13 dhe 23%, në bazë të nivelit të saj, çdo e ardhur tjetër që merret nga qiratë, interesat bankarë, kontratat e shërbimit, lojërat e fatit apo shitja e pasurive të patundshme, tatohet 15%.
Ky nivel taksimi do të ndryshojë. Nëse një individ realizon të ardhura nga aktivitete të tjera mbi nivelin 2 milion lekë në vit, do të detyrohet që të paguajë taksë 23% dhe jo 15%.
Përjashtim do të bëjnë vetëm të ardhurat që marrin aksionarët e kompanive nga dividenti i cili do të mbetet 8%.
Edhe tatimi i fitimit të korporatave do të mbetet 15.
FMN ka nisur punën prej 3 vjetësh për realizimin e skemës së taksimit për të ardhurat e integruara në një sistem të vetëm dhe jo të fragmentarizuar siç është sot.
Nisma pritet të sjellë shtrenjtim të barrës tatimore për qytetarët dhe rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit.