Qeveria ka vijuar edhe ditën e djeshme me lobimet në Gjermani, sa i takon bindjes së këtij vendi, me qëllim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Mirëpo, interesant është fakti se në të gjitha takimet që kanë zhvilluar përfaqësuesit e mazhorancës, kryefjalë e diskutimeve ka qenë reforma në drejtësi, negociatat dhe lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këto takime zyrtarët e lartë shqiptarë kanë prezantuar platformën e arrestimeve “VIP” pas hapjes së negociatave. Strategji kjo e cila duket se është mbështetur fuqishëm nga deputetët e Bundestagut. Madje, gjatë prezantimit të platformës nga ana e autoriteteve gjermane janë vlerësuar edhe statistikat e fundit të qeverisë Rama në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Po dje, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar edhe një takim me ministren gjermane të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Katarina Barley, me të cilën diskutuan për reformat e ndërmarra, masat për luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin dypalësh, që ka qenë mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Gjonaj bëri me dije se ajo vlerësoi në mënyrë të veçantë asistencën teknike që Gjermania ka ofruar në reformimin e shtetit të së drejtës dhe sistemit gjyqësor nëpërmjet Fondacionit Gjerman për Ndihmë Ligjore Ndërkombëtare (IRZ). Ndërsa nga e saj, ministrja Barley vlerësoi reformat që kemi ndërmarrë, veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit, u shpreh ajo, është një betejë e përhershme dhe nuk është e fituar plotësisht as edhe në Gjermani, por e rëndësishme që shtetet të dinë t’i përgjigjen me masa të përshtatshme. Për ministren gjermane përpjekjet antikorrupsion që bën Shqipëria janë akoma më të vështira për shkak të praktikave të vendosura në vite. Megjithatë, përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në këto fusha, sipas zyrtares, kanë pasur rezultate mbresëlënëse, veçanërisht e krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit. Ndërkohë Gjonaj bëri me dije se me ministren gjermane, u ra dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në reformat e ndërmarra, si reforma në drejtësi dhe veçanërisht në reformën penitenciare.