Qeveria ka paralajmëruar se do të vijojë të godasë korrupsionin. Ministria e Drejtësisë ka publikuar raportin 3-mujor të luftës kundër korrupsionit. Në këtë raport theksohet se kjo çështje mbete prioritet kryesor. “Korrupsioni është një kërcënim për demokracinë, mirëqeverisjen, konkurrencën e ndershme, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi.
Ai pengon rëndë zhvillimin ekonomik, duke krijuar një sistem pabarazie, paragjykimi e nepotizmi, duke shkatërruar besimin e njerëzve tek shteti i tyre, prandaj lufta kundër korrupsionit është sot një nga sfidat parësore të çdo shteti me kulturë demokratike, vizion dhe integritet të lartë. Qeveria ka dhe do vazhdojë në mënyrë të pandalur të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit, përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese”, thuhet aty. Më tej bëhet e ditur se përparësia e qeverisë në fushën e luftës kundër korrupsionit, përkon më së miri me kushtëzimet e vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Sipas raportit, lufta kundër korrupsionit është një ndër pesë politikat të cilat vendi ynë këshillohet t’i ndjekë me përparësi në procesin e integrimit evropian të vendit. “Po kështu, parandalimi dhe ndëshkimi i korrupsionit është një detyrim që rrjedh nga aderimi i Shqipërisë në instrumentet ndërkombëtarë për luftën kundër korrupsionit si Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Konventa Penale e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit, Konventa Civile e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit etj. Prej vitit 2015 Shqipëria ndjek dhe zbaton Strategjinë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit. Vizioni i SNKK-së 2015-2020 është: “Institucione shqiptare transparente dhe me integritet të lartë, që gëzojnë besimin e qytetarëve dhe garantojnë shërbim cilësor dhe të pakorruptueshëm”.
Qëllimet madhore të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit janë parandalimi, ndëshkimi dhe ndërgjegjësimi/edukimi rreth korrupsionit”, thuhet në dokument. Sipas dokumentit, Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit mbulon periudhën prej 6 vjetësh, pasi ai parashikon objektivat dhe masat përkatëse që duhet të realizohen për përmbushjen e këtyre objektivave sipas afateve të detajuara në Planin e Veprimit kundër Korrupsionit.