Shembulli maqedonas duket se shumë shpejt do të trokasë dhe në Shqipëri. Në qershor Bashkimi Europian do të vendosë për integrimin e vendit tonë dhe kërkesa kryesore është arrestimi i politikanëve të korruptuar. Rumania dhe Kroacia u bënë pjesë e familjes europiane duke arritur ish-kryeministrat, ish-ministri dhe shumë deputetë. Edhe në Maqedoni u dënua ish-kryeministri Nikola Gruevski. I vetmi vend që nuk ka shkuar te goditja e pushtetarëve jemi ne.
Por viti 2019 duket se do të sjellë dhe arrestime “VIP”. SPAK dhe Byroja e Hetimit ngrihen këtë vit, ndërkohë që e angazhuar duket dhe qeveria. Ministria e Drejtësisë çdo të mërkurë publikon bilancet e goditjes së abuzuesve në administratë. Por këto goditje pritet të shtohen. Në faqen e saj zyrtare në internet, kjo ministri ka njoftuar se do të pajtojë ekspertë vendas dhe të huaj sa i takon luftës kundër korrupsionit.
Aty është shpallur thirrja dhe kërkohen ekspertë të kësaj fushe me qëllim kryerjen e trajnimeve dhe dhënien e asistencë për të goditur korrupsionin në administratë, por dhe për të ndihmuar institucionet e tjera të pavarura. “Ekspertët duhet që të kenë përvojë në praktikat e luftës kund korrupsionit dhe sa i takon integritetit të zyrtarëve publikë në veçanti. Përveç kësaj, ata duhet të kenë përvojë në kryerjen e trajnimeve në administratën publike dhe në institucione të tjera të pavarura”, thuhet në dokument.
Po ashtu është bërë e ditur se në këtë projekt është angazhuar dhe ambasada britanike, pasi të gjithë të interesuarit duhet të dorëzojnë pranë saj dokumentet e nevojshme. Interesant është fakti se pas SHBA dhe BE, tani kanë hyrë në lojë dhe britanikët, të cilët po asistojnë në luftën kundër korrupsionit. Pra nga dita në ditë po jepen sinjale se dhe vendi ynë do të shkojë drejt shembujve që kanë dhënë Kroacia, Rumania dhe Maqedonia.
Ka shumë politikanë në vend që kanë kryer afera të shumta korrupsioni. Shumë kanë arritur të mbyllin çështjet në prokurori, ndërsa të tjerët kanë vulosur pafajësinë dhe në gjykatë. Por shpresat janë se me reformën në drejtësi do të marrë fund epoka e pandëshkueshmërisë.
Ngritja e SPAK dhe BKH
Ajka e reformës në drejtësi do të jetë ngritja e SPAK dhe e Byrosë së Hetimit, pasi këto dy institucione pritet të shfarosin korrupsionin në Shqipëri. Por cila do jetë rruga për ngritjen e tyre? Sapo të jetë ngritur KLGJ dhe KLP do bëhen shpalljet për vendeve vakante në këto organe. Fillimisht SPAK pritet të punojë me rreth 10 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa më pas stafi do të shtohet.
Ndërkohë Byroja e Hetimit do jetë një tjetër organ, i cili do hetojë vetëm zyrtarët e lartë, pasi SPAK do ketë në vëmendje dhe krimin e organizuar. Sipas përcaktimeve në ligj, çdo person që ka kaluar testet dhe kushtet për të qenë anëtar i Byrosë, i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet.
Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues. Po ashtu çdo dy vjet hetuesit do kalojnë në testim dhe kush ngel, largohet nga detyra. Pra, kjo do të thotë se Byroja e Hetimit do jetë mjaft e përgatitur dhe rol shumë të madh do kenë të huajt. Një agjent i FBI do qëndrojë aty për më shumë se dy vite dhe do japë udhëzime për luftën ndaj korrupsionit. FBI do këtë një zyrë të vetën që do bëjë trajnime.
Nga ana tjetër edhe në SPAK, SHBA-BE do kenë zyrat e tyre. Elementi tjetër është që fokusi i saj do jetë vetëm korrupsioni në nivele të larta, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, etj. Ndërsa Prokuroria e Posaçme do fokusohet te krimi i organizuar dhe te korrupsioni në nivele të tjera. Edhe pse Byroja është organ varësie i SPAK, ajo do funksionojë si në një godinë më vetë dhe do ketë detyra specifike. /Kliti Topalli