Ish-ministri i Mbrojtjes Sabit Brokaj ka deklaruar dje se policia zbatoi ligjin në ekzekutimin e ekstremistit grek në Bularat të Gjirokastrës. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai ka thënë se Katsifas ishte me plot gojën terrorist dhe mori ndëshkimin e merituar. Nga ana tjetër, Brokaj ka dënuar qëndrimet e opozitës dhe OMONIA mbi këtë ngjarje.
-Zoti Brokaj, të dielën pati një incident në Bularat të Gjirokastrës, ku mbeti i vrarë një minoritar grek. Keni një koment për këtë ngjarje, e cila ka shkaktuar përplasje Tiranë-Athinë?
Ngjarje të tilla të krijuara nga ata që quhen ekstremistë grekë, ky 30 vjeçar i ka pasur jo të rralla. Mund t’ju sjell si fillim ndër mend skandalin më të madh në historinë njerëzore, siç janë eshtrat e Kosimës, që i merrnin të grave dhe fëmijëve dhe i varrosnin edhe në praninë e Kryepeshkopit të madh këtu Janullatos. Që për mua është një skandal i madh, ndoshta më i madhi njerëzor. Pastaj më pas precedenti tjetër është zhvarrosja e eshtrave të shqiptarëve në Boboshticë për ca kocka që mendoheshin që të ishin të një ushtari grek, etj, etj.
Pra, elementë apo kontingjentesh grekë, gjithnjë e kanë mbajtur ndezur këtë si të thuash ndjenjash anti-shqiptare në Greqi dhe në elementë të minoritetit këtu brenda vendit tonë. Grekët kanë bërë shumë padrejtësi ndaj nesh, duke shkuar deri në vrasjen e ushtarëve tanë në vend roje ose në repart. E gjitha kjo, duke i bërë një rezyme ka ardhur si pasojë e politikës sonë dhe politikanëve shqiptarë, që ka qenë inferiore, servile, shumë e kompromentuar me ta, mos harrojmë këtu edhe bëmat e Saliut.
E para herë që politik shqiptare përgjigjet dhe është në lartësinë e duhur është kjo e tanishmja, siç është deklarata e kryeministrit Edi Rama. Deklarata e Ramës për ngjarjen në Bularat është korrekte brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, që do ta bënte çdo shtet. Kështu që sjellja e këtyre grupeve, kontigjentë, agresive të të ashtuquajturve voriopiriotë që jetojnë në politikën greke lirisht, ka qenë e përhershme dhe ne u kemi lënë shteg tyre. Shqipëria nuk është treguar zonja e shtëpisë së saj. Kështu që sjelljet që kanë bërë ekstremistët grek këtu tek ne, nuk kanë ndodhur edhe në shtete të vogla si Maqedonia, etj. Në Shqipëri kanë bërë çfarë u ka dashur qejfi. Por me ardhjen e Ramës në pushtet gjërat kanë ndryshuar dhe Shqipëria dhe shqiptarët janë më të sigurtë në çdo aspekt, duke mbrojtur interesat e qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit.
-Për këtë ngjarje ka pasur disa reagime. OMONIA e Dule, por dhe Berisha kanë shfaqur kritika…
Këtu ka dy gjëra të veçanta. Njëra është që opozita nën atë delirin apo idenë fikse patologjike që për çdo gjë të kundërshtojë qeverinë, duke bërë pakt edhe me djallin, është absurdi më i madh. Është e pa pranueshme sjellja histerike e opozitës shqiptare që janë rreshtuar krah një terroristi grek, duke justifikuar veprimin e tij si të ligjshëm, si të thuash ndaj një krimineli. Se në këtë rast ekstremisti grek e meriton epitetin “kriminel apo terrorist”. Madje, edhe termi “ekstremist” është shumë pak për të. Dhe arrin opozita dhe krerët e saj, përfshi Saliun që deri sa të justifikojnë një krim, duke mos arritur të shpjegojë korrekt, drejt, dhe të mbrojnë veprimin ligjor të shtetit shqiptar. Turp për këtë opozitë në çfarë derexheje është katandisur.
Ana tjetër që doja të theksoja dhe që është e çuditshme, të cilën e kam thënë edhe në kohën e varrezave të Boboshticës apo të Kosimës, është se përfaqësues politik, apo publik të minoritetit grek nga Vangjel Dule deri tek OMONIA në të gjithë ngjarjet që kanë ndodhur janë rreshtuar në krahun e ekstremizmit grek apo edhe voriopiriotëve në kuptimin e keq të fjalës.
Të gjithë pa asnjë përjashtim. Është e papranueshme që si Dule ashtu edhe OMONIA po kushdo tjetër kanë justifikuar të pajustifikueshmen. Turp që justifikojnë dhe marrin në mbrojtje një veprim që cënon sigurinë dhe rendin publik të Shqipërisë. Pra janë veprimi jovetëm të pajustifikueshme por shumë të kritikueshme. Pasi po ti marrim Dulet, e ngulet se nuk di si t’i thërras, gjithmonë kanë qënë në krahun e ekstremizmit grek, dhe asnjëherë nuk kanë marrë rolin e përfaqësuesve të minoritetit tonë të urtë grek, të urtë dhe objektiv. Por si Dule, ashtu edhe OMONIA, madje edhe opozita sot kanë dashur të ndezin zjarrin për sherre mes Shqipërisë dhe Greqisë de jo të rrinë në rolin e politikanit për të qetësuar situatat, për t’i shpjeguar ato. Dhe kini parasysh fjala vjen, Himarën. OMONIA në Himarën pa grekë, janë më agresivët sëbashku me Dulet.
OMONIA dhe Dule me deklaratat e tyre të ashpra e kanë harruar që janë përfaqësues të minoritet dhe jo të rreshtohen në krah të kriminelëve që vijnë edhe bëjnë vrasje në Shqipëri siç është ngjarja në Bularat, ku ekstremisti grek qëlloi mbi policinë dhe cënoi sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Thënë më troç Dule dhe OMONIA hanë ato kacidhet që iu jep greku dhe kriminelët e Greqisë, që janë pjesë e atij fondit që jepet. Sepse nuk mund ta shpjegosh kurrë që përfaqësues i popullit, qofshin këta publik apo politik, si Dule dhe OMONIA në mënyrë konstante kanë marrë pozicionin anti-shqiptar, duke u bërë agresiv dhe histerik. Por kjo është një strategji, pasi kemi edhe ne faj. Politika shqiptare ka faj, pasi Dulen dhe OMONIA-n nuk e voton minoriteti i tyre, ndërsa politika këtu në Shqipëri u jep ofiqe, duke marrë mandat deputeti në emër të Partisë Demokratike apo Partisë Socialiste, siç është tani ai Dulja i Saliut të PD-së.
Pra, unë do të thosha që ky fenomen nuk duhet të rrijë pa i qëndruar drejtpërdrejt duke demaskuar këdo që bëhet anti-shqiptar. Çfarë roli kanë këta? Përse Dule dhe OMONIA, madje edhe opozita marrin rolin duke i hedhur benzinë zjarrit, duke nxitur konflikte. Këtu nuk bëhet fjalë se po merrej nëpërkëmbë minoriteti, apo i mohoheshin të drejtat minoritetit, në një kohë kur qeveria Rama ka bërë një ligj model që iu garanton atyre çdo të drejtë. Kështu, që edhe në rastin konkret minoriteti grek që gëzon çdo të drejtë këtu, pavarësisht se si është momenti, duke u politizuar nga këtë anti-shqiptarë, nxori në pah edhe fenomenin që ekziston.
-A mund të shërbejë kjo në përkeqësimin e marrëdhënies mes dy vendeve?
Nuk mendoj se ngjarja e Bularatit do të ndikojë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk ka për të ndikuar sepse politika në Greqi të ketë interes për të acaruar marrëdhëniet me Shqipërinë dhe fqinjët. Natyrisht që kjo ngjarje duhet t’ju tregojë shqiptarëve se sa të ndjeshëm duhet të jenë në politikat e sigurisë kombëtare. Se të gjitha këto që ndodhën, kanë ndodhur si pasojë e lëshimeve apo qëndrimeve servile, inferiore apo deri të kompromentuar të politikës shqiptare, sidomos gjatë kohës kur në pushtet ka qenë Saliu dhe Partia Demokratike.
-Një çështje e mbetur pezull është ajo e paktit detar, mendoni se do kemi më shumë vonesa?
Mendoj se zhvillimet e fundit politike mes dy vendeve, përfshi këtu edhe rastin e Gjirokastrës ku policia me të drejtë vrau një ekstremist grek, nuk besoj se do të ndikojë në paktin e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë. Përfaqësues të një vendi duhet të mbrojnë deri në fund interesat kombëtare të vendit të tyre, dhe jo t’i shesin apo t’i falin si të thuash, në dëm të tyre. Por për t’u rikthyer tek fillimi i pyetjes, nuk mendoj se ngjarja e Bularatit do të ndikojë tek politikanët grekë duke reaguar ashpër ndaj Shqipërisë.
Shembulli më i freskët është ai i ministres së Kulturës greke, e cila rrëzoi çdo pretendim të ekstremistëve grek dhe qarqeve që mbështesin luftën anti-shqiptare. Çdo kush në çdo vend të botës e di shumë mirë se çfarë të pret kur një njeri qoftë ky edhe me të meta mendore merr një armë në dorë dhe qëllon mbi policinë apo qytetarët të pafajshëm. Përfundim, padiskutim është se ekzekutimi i tij në çdo rrethanë nga ana e policisë, do të bëhej me doemos. Mendoni për një moment sikur krimineli grek, Konstantinos Katsifas të kishte vrarë ndonjë qytetar atje, qoftë edhe minoritar. Prapë edhe në këtë rast shteti shqiptar do të akuzoj se pse nuk i mbrojti dhe nuk shtiu mbi terroristët.
-Si ish-ministër i Mbrojtjes, si i shihni veprimet e policisë?
Polica shqiptare ka detyrë të mbrojë sigurinë dhe jetën e shtetasve të vetë ka qenë në lartësinë e duhur në rastin e Bularatit. Kështu që policia në cilindo rast, aq më tepër kur ndaj saj qëllohet me armë, normalisht e pakta që duhet të bënte me terroristin Katsifas, duhet ta asgjësonte. Polica e ka për detyrë, madje me Kushtetutë dhe ligj që të mbrojë sigurinë e qytetarëve dhe vendit. Pra si përfundim polica ka zbatuar thjesht ligjin, duke ekzekutuar terroristin grek në Bularat në Gjirokastër dhe ata që dalin kundër veprimit të forcave Speciale RENEA, për mendimin tim janë thjeshtë “Tradhtarë” të Kombit Shqiptar. Turp për këdo si për grekët, si për Dulen, si për OMONIA, si për opozitën shqiptare që nuk mbështetën policinë dhe veprimet e saj, por nxituan ta sulmojnë atë.
A e kuptoni që është me ligj jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës që nëse dikush hap zjarr ndaj uniformave blu apo qytetarëve, ai duhet të eliminohet nga policia. Mos harroni që RENEA negocioi disa orë që ai të dorëzohej, por ai vijonte të shtinte ndaj tyre.
-Përtej kësaj, javën që lamë pas pati një deklaratë të fortë nga zv/ambasadori amerikan, i cili tha se do bllokohen vizat për të korruptuarit. A është ky një tregues se nuk ka asnjë tërheqje nga amerikanët në luftën ndaj korrupsionit?
Deklarata e zv/ambasadorit të SHBA në Tiranë, Daniel Koski ishte brilante, korrekte dhe që mbarte shumë të vërteta domethënëse. Kështu që komenti im për këtë pyetje është shumë i shkurtër. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë zbatuar prej kohësh këtë kurs, duke vënë në rreth të kuq të gjithë pushtetarët, gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët shqiptar. SHBA është korrekte në këtë prizëm dhe kur merr një vendim nuk tërhiqet, pasi është vendi më demokratik në botë dhe me anë të mbështetjes që i bën Shqipërisë, siç është edhe suporti i madh ndaj reformës në drejtësi, nxjerr në pah vlerat e Amerikës. Thënë më troç, Amerika nuk i do të korruptuarit në Shqipëri dhe më vjen mirë që iu ka shpallur luftë, sipas mënyrës së saj, siç është revokimi i vizave apo edhe demaskimi publik me emër për cilindo që rrezaton si i përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.
Në këtë pikë, me anë të deklaratave të tyre tepër korrekte, diplomatët amerikan kërkojnë të nxisin autoritet shqiptare që të luftojnë krimin dhe korrupsionin, duke e nxitur që luftën ndaj këtyre dy fenomeneve dhe jovetëm ta kenë kryefjalë të tyre. Deklarata e ambasadës së SHBA është e besueshme, korrekte dhe jep shembull që vetëm Amerika di ta japë se si një shtet duhet të luftojë me zero tolerancë korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel qoftë ai, si dhe mënyrën se si duhet të pastrohet sistemi i drejtësisë nga të korruptuarit.
Mos harrojmë që ishin SHBA-të ato të cilat na mbështetën fuqishëm në çdo aspekt, siç është edhe reforma në drejtësi. Kështu që me anë të këtij sensibilizimi me emra konkret, besoj se edhe në Shqipëri ka ardhur koha që pushtetarët dhe politikanet e korruptuar të shkojnë para drejtësisë. Pra, Amerika duke pasur listën e të korruptuarve shqiptar, me deklaratat e saj i tregon të gjithëve se ka ardhur koha që të gjithë të shkojnë para drejtësisë. Vetëm me ndihmën e SHBA, Shqipëria mund të bëhet shtet./ Intervistoi:Rigels Seliman