Një konflikt në një lokal nate mes 3 të rinjve nga Kukësi me disa persona nga Kosova ka përfunduar në të shtëna me armë. Për pasojë ka mbetur i vdekur një 31-vjeçar i identifikuar si V.C., nga Kukësi. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në dalje të Prizrenit.
Pas konfliktit, në momentin që V.C., 31 vjeç, R.Sh., 27 vjeç dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. Për pasojë mbeti i plagosur 27-vjeçari. Ata janë nisur drejt pikës kufitare të Morinës ku treguan se si ndodhi ngjarja dhe u nisën me urgjencë drejt spitalit të Kukësit.
“Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjec, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës.
Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës”, njofton policia.
Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit. Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.