Në Shqipëri, media e ka pozicionuar veten si në përballje me modelet e mbrapshta qeverisëse, ku veç raportimit ka dhe denoncimin si mision. Por kurrë nuk është parë e analizuar edhe ajo si një ushqyese e mbrapshtisë; nëse jo qëllimisht, me qasje jo-profesionale. Berisha mbetet testi më adekuat i medias në Shqipëri.
Sot e kësaj dite, edhe pse me një trashëgimi negative në afro 13 vjet qeverisjeje e 28 vite të plota protagonizëm politik, ku veç shumë të tjerave mban mbi shpinë dhe akuzën e katër të vrarëve në bulevard, Berisha ka një komoditet nga media për t’u patur zili. Atij i publikohet çdo gjë, pa përjashtim çdo gjë lëshon në publik, që nga marrëzitë e “qytetarit dixhital”, e deri te çdo lloj akuze që ka brenda ç’nderimi, masakrimin dhe ç’njerizimin e kundërshtarit politik, ku gjuhës plumb i mungon vetëm plumbi në mish.
Ndihet komod gjithashtu, pasi ftohet rregullisht në çdo studio, duke u ndjerë i pacenuar nga asnjë lloj pyetje, sado me spec të duket, ndonëse speci mungon rregullisht. Ishte dhe te Krasta, më kurajozi në pyetje, më i talentuarit në formulimin e tyre, por fakti që ofroi të njëjtën lloj gjuhe, prej asaj që tashmë i njihet ç’prej kur u bë lojtar në politikë, e që nuk përbën asnjë surprizë, asnjë befasi, sigurisht për mirë, do të thotë se edhe pyetjet e përzgjedhura nuk funksionuan. Disa nuk prekin thelbe në misionin apo natyrën e tij politike, disa as që guxohen të bëhen.
Nga këto të fundit është dhe ajo mbi 21 Janarin. Vini re: prej kur ndodhi tragjedia e asaj dite e deri më sot, në sa e sa prani të Berishës në studio televizive, askush nuk ka guxuar t’i drejtohet për 21 Janarin dhe gjithçka mban e shoqëron atë histori. Nuk guxoi as Krasta. E sa i përket thelbit të qënies së tij politike, askush nuk e pyet për ca aspekte, të vetmen që do ia vlente për t’u thirrur në një studio:
-Pas kaq vitesh në politikë, cili është investimi më i fortë moral që i ka bërë vendit të tij? -Në kaq vite politikë, cila është reforma më e thellë që ka ndërmarrë për sa ka qeverisur, e cila ka dhënë efekte në kohë, e prej së cilës sot po përfitojnë shqiptarët?-Cilat janë standartet etike që ai ka diktuar në politikë, por edhe mes njerëzve? -A ka patur në vetëdijen e tij politike një moral që e ka udhëhequr, cili ka qenë ai dhe provat e tij? -Cilat kanë qenë politikat e tij në funksion të drejtësisë shoqërore, virtytit shoqëror, principeve të punës, meritës dhe vlerave? -Për çfarë duhet t’i referohen brezat që do vijnë?
-Për çfarë duhet të citohet gjithashtu nga këto breza? -Cila është thënia me lapidare e dalë prej tij? -A e mbart ligjërimi i tij politik inteligjencën, intelektualitetin, të drejtën, të vërtetën dhe mbi të gjitha të moralshmen? -A e ka shqetësuar ndonjëherë degradimi i sistemit të drejtësisë dhe çfarë ka bërë për ta reformuar atë? -A është ai një prej investitorëve në degradimin e këtij sistemi? -Kush prej rivalëve të tij politikë nuk ka qenë kriminel, mafioz, hajdut, për t’u marrë zvarrë apo hedhur në koshin e plehrave, por thjesht një njeri i kundërt me të në qëndrime politike?
Ja, këto janë disa prej pyetjeve që vërtet do ia vlente ta kishe Berishën në studio. Për të tjera, është thjesht një shërbim i keq që mund t’i bësh vendit duke mbajtur gjallë një zë që thjesht ia shton marrëzinë jetës shqiptare.
Dhe mos thoni që nuk ka ekzistuar një lider i tillë që mund të shfaqet mes pyetjeve të mësipërme. Ka qenë, afër nesh dhe në kohën tonë. Mjafton të studioni jetën dhe karrierën e Alija Izetbegoviç, të lexoni veprat e tij që ka lënë, rrëfimet mbi veten dhe ngjarjet që e kanë ndjekur, për të kuptuar se po, mund të ekzistojë. Diferencën e bën ajo, për të cilën më s’paku merret në konsideratë kur gjykohet një lider: morali.(Tesheshi)