Nga Anri Bala
Motmot… vjet… dje… sot… sa herë që u kam parë, dëgjuar apo lexuar…padashje, kam qenë i bindur saktësisht për përgjigjen e merituar, që do merrnit prej gjithë atyre që thoni, premtoni, sajoni, ëndërroni, guxoni dhe blasfemoni, tek ata që ju njohin më mirë se veten, por edhe te ato që nuk duan t’iu njohin… por kanë dëgjuar njësoj si unë bëmat dhe gjëmat tuaja.
Ju nuk e kuptoni, ose edhe nëse e kuptoni, nuk mund ta besoni se si jeni katandisur… klloun që të bëni për të qarë, me humorin vajtimtarë, që vetëm soji i juaj di ta bëjë… a thua se keni dal nga e njëjta mitër, kopje të shëmtuar të njëri tjetrit, por kopje identike të nënës kurvë, që ju ka pjellë… politika.
Këtë zanat e “qani”, madje i keni mbushur mendjen vetes, se jeni brilantë në interpretimin e vrasësit, i cili u ankohet viktimave të tij, se përse nuk e duan si vrasës… ashtu të dhimbshur dhe të dashur?!
Ju premtoni burrnisht… se kur tu jepet mundësia, nëse ne dëshirojmë, ju mund të na e jepni edhe njëherë kënaqësinë e ekzekutimit me duar në xhepa… duke na i futur duart në xhepa dhe plumbin pas qafe.
Natyrisht këto i lexoj unë, që kam filluar të shes mend, se lexoj mendjet tuaja! Megjithëse jeni shumë të parashikueshëm, sepse gjithmonë ktheheni në vendin e krimit, duke na e ngarkuar krimin në kurrizin tonë të dregosur dhe të rreckosur… si populli me faj, me njërën dorë ndër xhepa e tjetrën për lypje.
Këtu më kap inati, ngaqë nuk e di se përse më kap keqardhja për popullin tim, për veten time, për miqtë dhe të afërmit dhe çuditërisht edhe për ju ndjej… pështirosje, sekëlldi por edhe dhimbje.
Këtë më duhet ta sqaroj! Ndjej dhimbje… por jo për ju, por për nënat, motrat, fëmijët tuaj të pafajshëm! Ndjej dhimbje, sepse ajo që u bëni ju, është “incest” i pastër.
Ç’faj ka nëna jote, që shahet e shkër… nga mëngjesi në darkë, se i biri apo e bija, tallet dhe fyen njerëz, duke u bërë sfidë e “karshillik” me mashtrimin, kur ato njerëz janë viktima të tyre dhe presin vetëm… shpagimin?!
A nuk është “incest” dhuna, që u “dhuroni” me dashje njerëzve tuaj, duke ndërsyer turmat e revoltuara me ju dhe atë që përfaqësoni ju, për të shfryrë mllefet, urrejtjen dhe zhgënjimin e tyre në kurrizet të atyre, aty ku ju i’u dhëmb më shumë.
Ky është “incest” i vetdijshëm dhe i paramenduar, sepse ju nuk ndaloni, por vazhdoni edhe më fortë, me të njëjtën menyrë, duke shtuar kënaqësitë tuaja perverse, duke perfeksionuar talljen tuaj, duke u gëzuar, a thua se keni gjetur një lodër që mund të zbaviteni, e duke mos e kuptuar, se po i masakroni të gjithë ato të mjerë, që fatkeqësisht dhe aksidentalisht u ke rënë për “hise”… të shtrenjtit tuaj.
Jeni aq të nxirë, sa zifti i zi i etjes për pushtet, ju ka mbuluar këmbë e kokë dhe u duket vetja sikur jeni të pastër, flori e kaluar floririt, e sikur keni qenë e do jeni pushtetarë, kur në fakt jeni në ëndërr, që shpejt do u kthehet në zhgjendërr, kur ta kuptoni se nuk keni qenë kurrë por… veçse një tuf pushtabushtrash.
Ndjej keqardhje, edhe për ca të sakatosur si “plluma të cofun”, pa ngjyrë e pa pupla, që ndoten nga bloza juaj… duke u munduar që t’iu zbardhin me lëpirje hidrante e lëvdata, për litarin e gjatë që i’u pret, që ne e quajmë kamxhiku i ndëshkimit.
Ndaj nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm t’iu mëshiroj duke i’u uruar: Kurrë mos mbiftë fara juaj në këtë vend, e kurrë mos ngjiztë mitër nëne shqiptare, pushtabushtra, që gëzojnë me dhimbjen që i shkaktojnë asaj… nënës së tyre, edhe nga fjalët e njerëzve, që ju urrejnë me shpirt e me të drejtë!/Ekskluzive.al