Punimet për rehabilitimin e qendrës së Fierit po shkojnë drejt përfundimit. Në 1 shtator sheshi i qytetit do të jetë i kalueshëm për qytetarët. Për shkak të punimeve, zona ka qenë pothuajse e bllokuar, por banorët thonë se rehabilitimi i sheshit qëndror dhe i shtratit të lumit Gjanica, do përmirësojë pamjet e qytetit. Ndërkohë pak kohë më parë, qytetit të Fierit i janë rikthyer disa mjedise të gjelbëruara që ishin të zaptuara nga ndërtime të paligjshme. Lulishtja te ish-fabrika e miellit është mjaft e preferuar, sidomos për moshën e tretë dhe fëmijët.
Parkimi nëntokësor me kapacitet 100 automjete dhe sistemimi i rrugëve do të përmirësojnë kaosin që ka aktualisht në qytet. Projekti për rehabilitimi e qendrës së Fierit dhe shtratit të lumit Gjanica kushtoi 5.6 milionë euro.