Safet Bajri që trazoi mediat belge si dhe politikën shqiptare është arrestuar mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Nuk dihet se si 34-vjeçari vendosi të vinte në Tiranë ku edhe u arrestua, pasi në Shkodër thuhej se mbrohej nga banda e tij.
Tv Klan ka publikuar momentet e arrestimit ku shihet se si Bajri është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Ai mbërriti nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Thuhet se së bashku me Bajrin, në polici është ndaluar edhe një tjetër person, identiteti i të cilit nuk dihet ende.
Bajri u ndalua mbrëmjen e sotme në një magazinë në zonën e “Xhamllikut”, në Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë.
Ai është në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet belge, ndërsa mediat atje e kanë konsideruar si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.