Nga Anri Bala
Partia as mish as peshk e Xonit të socialistëve, do të zhvilloj më 17 mars në Durrës asamblenë. Ajo që të habit më shumë, është paturpësia e zgjedhjes së vendit ku do të zhvillohet asambleja e partisë, me program majtas-djathtas.
Takimi është vendosur të nis paradite, në një resort në Gjirin e Lalzit, thuhet në një njoftim të PS-së, e cila natyrisht me miratimin e Edi Ramës, ka vendosur pa droje të mblidhet në vatrën e parave të pista e të krimit, në zonën më të kriminalizuar të vendit… e cila në vend që të rrethohej me shiritin “Skenë Krimi Mos Kalo”, mban akoma fshehur të pashqetësuar hajdutë, kriminelë, trafikantë, lavatriçet e parave të pista të pushtetit nën emrin “biznesmen”, grabitqarë e zuzarë, që edhe grupet kriminale i bëjnë me turp e të ndihen të paaftë para tyre.
Tufa e gjirizit të politikës pa moral, do na lehin e kakarisin nga podiumet, duke na dhënë mend se si bëhet ky vend, pikërisht nga aty ku duhet të heshtnin dhe turproheshin, duke e ditur fare mirë se çfarë përfaqëson ajo fole, e grabitur dhe e kthyer në rezidencë të “rezilerëve”.
Gjiri i Lalzit, dikur një zonë e virgjër bregdetare, u kthye në më pak se dy dekada në zonën më të lakmuar të vendit për politikanët që e konsideruan tokë pa zot, për të investuar në ndërtime vilash marramendëse si ajo e Berishës… gjoja e Abit, 7 Wc-të e Lirit dhe Monit, uturakët e Vasilit, të tigrave subjekt të SPAK, Mulit me shokë, e shumë të tjerëve nga soj e sorrollopi i tyre, pjella të politikës së mysybetëve e derbederëve.
Kjo fole e madhe korrupsioni, ku faktet të nxjerrin sytë… jo vetëm që nuk u hetua dhe u kontrollua, por sot me urdhër të Xonit të socialistëve, po amnistohet nga të gjitha akuzat. Nuk mund të jetë rastësi, që Edi Rama kthehet fiks 10 vite më vonë në folenë e krimit “të shokëve” të tij në politikë, kur Ilir Meta, me 25 Mars 2014, hapi çadrën të festonte e gostiste 500 të ftuar për 45 vjetorin e lindjes së tij… E asgjë s’ka ndryshuar prej atëherë, veç se Rama dhe Meta s’janë më miq pazaresh në politikë.
Verbëria e Ramës, është një fyerje e rëndë për çdo qytetarë shqiptarë, sepse justifikon apatinë e qëllimshme të organeve të drejtësisë, që qorrazi e ngjyejnë gishtin në tepsi, për tu bërë palë e sojit të maskarenjëve, që kanë ndërtuar sarajet e tyre me zhvatje, gjobvënie dhe korrupsion./Ekskluzive.al